Miliona për FSHF-në, firmos për 6 vite me Vodafone

Vodafone Albania zyrtarisht është sponsor zyrtar i Shqipërisë. Sot është nënshkruar kontrata mes kompanisë telefonike dhe Federatës Shqiptare të Futbollit dhe do të jetë e vlefshme për tre sezone, pra për 6 vite. Përfitimet e FSHF-së do të jenë të konsiderueshme Sipas asaj që raporton Telesport, 1.8 milionë euro do të shkojnë në arkat e federatës, pra 600 mijë euro në edicion.

Ndërkohë është përcaktuar edhe slogani i këtij bashkëpunimi dhe ai do të jetë “Ne jemi Një”. Vodafone ka qenë edhe në të shkuarën sponsor i kombëtares sonë. Kreu i FSHF-së, Armand Duka, e ka komentuar kështu marrëveshjen e nënshkruar:

“FSHF dhe Vodafone Albania kanë një histori të gjatë bashkëpunimi. Ndoshta jo rastësisht kemi të përbashkët ngjyrën e kuqe, por dhe vendosmërinë për të arritur rezultate sa më të larta. Prej Vodafone Albania, që është sot lider në tregun shqiptar, FSHF nuk do të përfitojë vetëm mbështetjen financiare, por edhe mentalitetin e liderit, e fituesit. Jemi në prag të një edicioni shumë të rëndësishëm, të eliminatoreve EURO 2020. Uroj që të kemi fillimin e mbarë me ndeshjen ndaj Turqisë e që kjo marrëveshje të na sjellë fat”.

Drejtori i Përgjithshëm i Vodafone Albania, Z. Achilleas Kanaris, shtoi: “Jemi shumë krenarë që nisim këtë partneritet me ekipin Kombëtar shqiptar. Në çdo vend ku ne operojmë nuk duam të konsiderohemi vetëm si një kompani e madhe, por edhe si investitorë të vazhdueshëm në gjithçka që ka rëndësi për komunitetin. Për ne ishte shumë e thjeshtë t’i thonim ‘po’ këtij sponsorizimi, duke parë se skuadra Kombëtare e Futbollit është pikërisht ajo që i bën shqiptarët krenarë, të bëhen bashkë, të qajnë, të lumturohen, të brohorasin. Pjesë e bukur e këtij bashkëpunimi është padiskutim përdorimi i teknologjisë, që u mundëson fansave të jenë gjithnjë të lidhur me skuadrën e tyre të zemrës, kur janë në fushë por edhe jashtë saj. Ju uroj suksese në ndeshjen me Turqinë dhe në vijim, drejt kualifikimit”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *