Milinkoviç: Te Kukësi duam trofe, jo thjesht lojë të bukur

Trajneri i ri i Kukësit, Mlladen Milinkoviç, ka folur nga Ohri për Supersportin, duke u ndalur te merkatoja, ambiciet dhe tema të tjera. Skuadra është tashmë e kompltuar dhe nga Kukësi pritet shumë: “Deri një javë më parë nuk ishim të kompletuar, por tashmë gjithçka është perfekte. Kemi 25 lojtarë, po stërvitemi në kushte shumë të mira dhe jam i kënaqur. Jam i kënaqur që janë kthyer Koliçi dhe Alla, sepse kështu mbrojtja është kthyer ajo e sezonit të shkuar, plus Rustem Hoxha, që do të na vlejë. Kemi bërë shumë ndryshime në mesfushë e sulm, sepse janë larguar e afruar shumë lojtarë. Shpresoj që të jemi përmirësuar në krahasim me sezonin e shkuar, na duhet pak kohë, por jam i bindur që shumë shpejt skuadra do të jetë në nivelin e duhur”.

Rivalët? “Së pari, dua që skuadra ime të jetë në rregull, të luajë futboll të mirë dhe të shkojë aty ku dua. Pastaj, Skënderbeu është përmirësuar sërish dhe është mjaft cilësor, po e tregon edhe në Europë. Pastaj, Partizani ka bërë shumë ndryshime dhe kërkon me çdo kusht të luftojë për titull, me një trajner të ri. Megjithatë, Kukësi e tregoi edhe sezonin e shkuar se nuk është inferior ndaj askujt”.

Stadiumi i Kukësit dhe fusha aty përbëjnë shqetësim sepse fusha e Kukësit ka një problem, duke qenë me bar artificial dhe në kushte mjaft të këqija: “Së pari, nuk jam ankuar. Unë dua të luaj para tifozëve tanë. Për sa i përket fushës, është pak e vogël dhe skuadrat e tjera e kanë më të lehtë të mbrohen, të luajnë mbyllur gjithë kohën. Marrëdhënia me presidentin Gjici: “I thashë që isha i kënaqur të punoja me të, sepse ai e di çfarë kërkon nga skuadra. Ai ka një vizion, unë kam të njëjtin vizion dhe të dy mendojmë të fitojmë”.

Synimet? “Po punojmë fort, duam çdo trofe të mundshëm. E di që presioni është i madh mbi skuadrën, por u kërkoj tifozëve të kenë pak durim dhe të na japin kohë. Nuk do të luajmë më me top të gjatë, si sezonin e shkuar kur ishte Pejiç, ndaj po punojmë për të ndryshuar mënyrën e lojës së skuadrës. Duhet shumë punë, por edhe durim”.

Loja e Kukësit do të jetë si ajo e Luftëtarit, që habiti të gjithë sezonin e shkuar? “Nuk mund të luajmë njësoj, ka shumë ndryshime. Kuksi luan për trofe, ka presion më të madh, Luftëtari ishte skuadër e re, me lojtarë me tipare të tjera, me Bregun e Abazajn që janë shumë të shpejtë përpara dhe që ndryshojnë shumë gjëra. Luftëtari u konsiderua një skuadër e bukur edhe për faktin se luante pa presionin që kanë skuadrat e kreut, ndërsa te Kukësi shpresojmë që të ndërthurim lojën e mirë me trofetë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *