Milinkoviç-Saviç drejt PSG-së, Tare e zëvendëson me një interist

Lacio rezistoi fort verën e kaluar dhe refuzoi oferta të majmë për Sergej Milinkoviç-Saviç, por sivjet situata ka ndryshuar. Bardhekaltrit janë gati ta shesin mesfushorin serb dhe po presin ofertën më të mirë.

PSG është klubi më i interesuar për Milinkoviç-Saviç, ndërsa Igli Tare ka piketuar zëvendësuesin e tij. Sipas mediave afër klubit lacial, objektivi quhet Roberto Galjardini.

Galjardini në dyluftim me Milinkoviç-Saviç

25-vjeçari ka një kontratë me Interin deri në vitin 2023, por aktivizimi i tij nuk është i sigurt me Antonio Konten në stol. Mesfushori i kombëtares italiane pëlqehet shumë nga Simone Inzagi dhe trajneri i Lacios i ka kërkuar Tares të mbyllë këtë tratativë.

Nëse Leonardo paraqet ofertën e duhur dhe Milinkoviç-Saviç niset drejt kryeqytetit francez, Igli Tare do të niste sulmin për lojtarin zikaltër.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *