Milinkoviç: Nëse nuk fitojmë do të jetë zhgënjim i madh

Trajneri i Kukësit: Nuk e dimë pse nuk jemi aty ku duam. Na duhen disa rezultate pozitive radhazi, për të dalë aty ku ne synojmë, ky është problemi jonë  

Jurgen Zela

Trajneri i Kukësit, Mlladen Milinkoviç, ka dalë në konferencën e zakonshme për shtyp në prag të ndeshjes me Lushnjen. Tekniku serb ka folur rreth kundërshtarit të radhës, si dhe për gjendjen e skuadrës. Nuk mund të linte jashtë vëmendjes dhe luftën për titull, ku veç Skënderbeut ai konsideron dhe Partizanin si rival. 49-vjeçari e pranon se një fitore ka vlerë shumë të madhe tani, kur në horizont është një kalendar mjaft i ngjeshur. Milinkoviç e vë theksin te fakti se do kishte pëlqyer që ndeshjet të ishin në fundjavë, pasi gjatë kësaj periudhe ka pasur dy futbollistë me përfaqësueset.

Profesor, a mund të konsiderohet çdo rezultat tjetër veç fitores në Lushnje një dështim?

Nuk diskutohet që ne në çdo ndeshje futemi për fitore. Nëse nuk do të arrijmë fitoren, do të jetë një zhgënjim për ne, si për rezultatin, ashtu dhe vazhdimësisë.

Skënderbeu po bën një sezon shumë të mirë, besoni se mund ta rivalizoni deri në fund për titull?

Në radhë të parë ne shohim skuadrën tonë. Akoma nuk mund të dalim në konkluzione kush do të jetë rival për titull. Skënderbeu mund ta ketë nisur më mirë kampionatin, por dhe Partizani, që të gjithë e keni hequr nga lufta për titull, është brenda lojës për vendin e parë.

E ndjeni të kërcënuar ecurinë e skuadrës, duke pasur parasysh që dëmtimet nuk po u ndahen?

E kam thënë dhe më parë, që deri më tani nuk na është dhënë mundësia të kemi të njëjtin formacion. Ekipi nuk është njësoj pa Shametin dhe me Shametin. Gjithsesi këto gjëra i kemi marrë parasysh dhe me atë kontingjent lojtarësh që kemi, me ato do të vazhdojmë.

E keni përmendur shpesh aspektin psikologjik. Si vjen skuadra pas humbjes me Skënderbeun? A ka presion?

Ndeshjen me Skënderbeun e kemi lënë pas. Tani duam një fitore, duke pasur parasysh se kemi dhe shumë ndeshje në një periudhë shumë të shkurtër kohore. Një fitore do na ndihmonte shumë, si nga ana psikologjike, por dhe nga të gjitha aspektet e tjera.

Sa ju kanë vlejtur këto 10 ditë pushim dhe a do të ishte akoma më mirë që të luanit në fundjavë dhe jo në mesjavë?

Ne si Kukës do të donim që ndeshjet të luheshin në fundjavë, pasi kishim dy futbollistë që ishin grumbulluar me përfaqësueset. Tre-katër lojtarë i kishim të dëmtuar dhe mund të na duhej më tepër kohë. Kjo nuk është diçka për t’u justifikuar. Kaq ditë në dispozicion kanë pasur të gjitha ekipet për t’u përgatitur.

Çfarë i mungon këtij Kukësi, që ende nuk ka dalë në lojën që dëshironi?

Të themi të vërtetën kemi pasur gjatë këtyre dy muajve shumë biseda, për të gjetur arsyen se pse nuk kemi dalë te loja jonë. Besoj se na duhen dy-tre rezultate të vazhdueshme, pasi e kemi nisur keq sezonin, me humbjen e Superkupës. Edhe me Kamzën nuk luajtëm mirë, pavarësisht se fituam. Bëmë një ndeshje të mirë me Partizanin. Me Laçin patëm luhatje gjithashtu. Nëse do të kemi disa rezultate pozitive radhazi, skuadra do të dalë aty ku ne duam.

Lushnja luan në shtëpi dhe në javën e fundit ka barazuar me Partizanin, sa i druheni këtij kundërshtari?

Në letër mund të jemi ne favoritët për këtë ndeshje, por Lushnja kthehet të luajë në shtëpinë e saj. Do të jetë ndeshja e parë në Superiore që e luan para publikut të saj, që e ndihmojnë shumë ekipin. Duan të tregojnë dhe ata që nuk janë rastësisht këtu. Kanë lojtarë me eksperiencë, ashtu si ne. Besoj se do të jetë një ndeshje e mirë, por ne do të synojmë që ta fitojmë këtë ndeshje.

A është gati Bakaj për ta nisur ndeshjen nga minuta e parë?

Bakaj e ka lënë pas dëmtimin dhe është bashkuar me skuadrën këto dy ditë. Gurin do e pozicionojmë aty ku ne do e shohim të arsyeshme. Ne do presim që ai të japë diçka më tepër për ekipin. Në varësi të ndeshjes, do të shohim nëse do të luajë përpara në qendër të sulmit, apo në krah. Në këto ndeshjet e fundit që ka luajtur në të djathtë nuk ka dhënë atë që ne prisnim, por besojmë se edhe atje mund të japë ende atë që ne presim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *