Milinkoviç kundër së shkuarës, Luftëtari kërkon hakmarrje

Kukësi do fitoren e qetësisë para merkatos së janarit, Luftëtari do të tentojë të shlyejë humbjen 3-0 pësuar në fazën e parë

Jurgen Zela

Një fitore për të bërë pushime të qeta, të njëjtën gjë kërkojnë sot Kukësi e Luftëtari. Kukësi do të presë në shtëpi skuadrën më të mirë të momentin Luftëtarin, që një javë më parë bëri surprizën e javës, teksa shpartalloi në shtëpi Partizanin. Ishte fundjavë me fat edhe për Kukësin, që u “ringjall” në Durrës, duke fituar pas disa rezultatesh radhazi negative. Një ndeshje mjaft interesante, sepse në prag është dhe merkato e janarit dhe të dyja skuadrat duan ta mbyllin me fitore, para se të bëjnë llogaritë.

TRAJNERËT – Milinkoviç përballë Likës, të dy me të shkuar në kampet e kundërta. Lika ka kontribuar si trajner, por dhe si drejtor teknik te klubi verilindor. Tekniku serb la gjirokastritët për të fituar trofe te Kukësi, por te Kukësi jo gjithçka i ka shkuar siç ka dashur dhe la pas një skuadër që vijon të bëjë lojën më të bukur në Superiore. Edhe pse Lika ka një kontribut të pamohueshëm skuadra ka ruajtur pikërisht filozofinë që Milinkoviç i dha, një skuadër që prioritet ka lojën e bukur.

HAKMARRJA – Skuadrat vijnë me pretendime të kundërta, megjithatë pritshmëritë për këtë sfidë janë maksimale. Luftëtari tashmë veç lojës tërheqëse ka nisur që të marrë dhe pikë, e duke ditur që Kukësi nuk është më ai i vjetshmi, do të kërkojë surprizën. Kampionët besojnë ende te titulli, por për ta mbajtur shpresën gjallë ju duhet fitorja me çdo kusht, për të mos e thelluar më shumë diferencën prej 9 pikësh që kanë me Skënderbeun. Në fazën e parë Kukësi fitoi bindshëm në Gjirokastër, por asokohe protagonist u bë një bilbil nga shkallët e stadiumit, që solli dhe golin e parë të Kukësit. Në ndeshjen e parë bluzinjtë goditën dy herë shtyllën dhe krijuan shumë volum, por rezultati bëri që të “harroheshin”. Milinkoviç triumfonte në ish-shtëpinë e tij, prej ku u largua me shumë polemika, ndërsa Lika u mund keqas në debutimin e tij në Gjirokastër. Shumë arsye për ta bërë mjaft interesante ndeshjen e sotme.

Vjet, Luftëtari kockë e fortë
Kukësi dhe Luftëtari vjet u përballën katër herë në kampionat, ku Kukësi arriti që të fitonte dy ndeshje, një ta barazonte dhe të mundej në një raste. Pikërisht humbja me gjirokastritët ishte e para dhe e vetmja në kampionat. U shënua kur titulli kampion ishte siguruar, megjithatë në Kukës donin shumë që ta mbyllnin vitin pa humbje, gjë që nuk u arrit. Edhe pse humbja ishte vetëm për statistikë, verilindorët e përjetuan shumë atë ndeshje, teksa humbi disi dhe ngritja e trofeut në qytetin e ngurtë. Jo vetëm kaq, por Luftëtari ja ka bërë jo pak të vështirë kuksianëve në edicionin e vjetshëm. Në fitoren 1-0 të Kukësit në “Zeqir Ymeri”, bluzinjtë shpërdoruan një 11-metërsh dhe në aksionin pasardhës Kukësi shënoi golin që vulosi takimin. Në ndeshjen e fazës së dytë që u zhvillua në Gjirokastër, vendasit kontestuan shumë një 11-metërsh. Ai takim u mbyll me rezultatin 2-2. Në takimin e tretë Luftëtari krijoi volum në 10 minutat e mbetura kur kapiteni Beqiri ngushtoi rezultatin, por nuk arriti që të shënonte, edhe pse j ua bëri shumë të vështirë vendasve. Ndeshjet e vjetshme nuk kanë kujtime shumë të mira, por këtë edicion është tjetër muzikë, për të dyja skuadrat, pasi Kukësi nuk është i vjetshmi, por dhe Luftëtari ka ndryshuar shumë. Kukësi nuk do të ketë asnjë nga shënuesit e edicionit të vjetshëm, kjo pasi Shameti është me karton të kuq, ndërsa Pejiç dhe Emini janë larguar nga kampionët.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *