Milani “ngrin merkaton”, koha për të pritur çastin e duhur!

0

Merkato kuqezi është ndalur në 210 milionë euro të shpenzuara, teksa Mirabeli dhe Fasone po projektojnë goditjen ose goditjet e fundit me qetësi. Tjetër sulm për Beloti ose Obamejang?

Ka kaluar më shumë se një javë nga blerjet e fundit dhe Milani ende s’po lëviz?! Mund të duket në formë batute por, për nga ajo që të gjithë u mësuan, duket e çuditshme. Mirabeli dhe Fasone, dy arkitektët e merkatos kuqezi të deritanishme, që kanë shpenzuar rreth 210 milionë euro, janë në pritje. Si ato gjahtarët që e dinë që pas ferrave ose shkurreve ndodhet prehu, por nëse hidhen në sulm mund ta largojnë atë. Kështu, i duhet të bëjnë kujdes tashmë, pse për diçka të madhe “luhet”.

Në fakt, deklaratat e drejtuesit të Dortmundit, që u ndje i bezdisur nga konferenca e Fasones i cili përfshinte edhe Obamejang në listën e dëshirave, ka bërë që “truri” i merkatos kuqezi të qëndrojë në heshtje… Jo sepse kanë mbaruar paratë, jo sepse kanë mbaruar blerjet, por thjesht sepse buxheti i mbetur s’duhet treguar. Në fakt, tashmë që të gjithë e kuptuan që Milani i madh po kthehet, nuk mund të shpenzohen para majtas dhe djathtas pa asnjë problem, por lojtarët duhet të jenë ato që shtyjnë dhe, klubet që i zotërojnë, të vihen në siklet dhe të bëjnë lëshime në vlerën e kartonit.

Nikola Kaliniç

Kaliniç – Sipas “Sky”, Milani dhe lojtari kroat kanë arritur marrëveshje prej kohësh për rrogën 3,5 mln euro në sezon për katër vitet në vazhdim, ndërsa me Fiorentinën ende nuk është arritur akordi, por sepse s’ka pasur sulm konkret. Agjenti i Kaliniçit, Ramadani, ka mbërritur në Milano dhe do të bisedojë me palët. Vjollcët duan të paktën 28 milionë euro, pasi në janar nuk u transferua në Kinë për 40 mln euro. Kroati do kuqezinjtë, ndërsa mund të përfshihet edhe ndonjë lojtar në negociata. Në fakt, Pioli do të preferonte Niang dhe Paletën, por ka një “por” këtu… Kuqezinjtë duan të arrijnë deri në 20 mln euro dhe kartonin e Paletës ndoshta. Megjithatë, ende s’kanë vendosur të bëjnë përpara… Duan të presin hde të shohin.

Beloti  – Kairo e quan të pashitshëm, deri sa dikush të afrohet dhe të japë 100 mln eurot e klauzolës, por oferta kuqezi është ndalur në 40 mln euro plus kartoni i Niangut dhe Paletës. Torino ka refuzuar, për momentin… Kairo e di që ky mund të jetë një tren që njëherë vjen dhe, nëse kuqezinjtë ngrenë ofertën, atëherë mund të nisin negociatat zyrtare. U përfol edhe për rinovim me 2,5 mln euro në sezon për sulmuesin, që aktualisht fiton 1,5 mln euro, por ende s’ka asgjë zyrtare. Sipas “Repubblica”, Fasone dhe Mirabeli, pasi të marrin “ok” nga Montela, do të provojnë një ofertë të çmendur: 60 mln euro “kesh” dhe Paleta e Niang. Kjo mund të jetë oferta më e madhe dhe e papritur e Torinos, që do të gjendej përballë një situate të vështirë dhe delikate.

Obamejang – Tjetër objekt dëshire mbetet Obamejang. Lojtari i Dortmundit vazhdon të fshihet pas “like”-eve që jep në faqen e Milanit, ndërsa i pëlqen ideja të kthehet në Serinë A, me kuqezinjtë, por rroga e ofruar, pra rreth 7,5 mln euro nuk është se e bind. Klubi verdhezi kërkon të paktën 75 mln euro për kartonin e tij dhe pret ende ndonjë ofertë nga Kina, por në janar, jo tani. Do t’i ofrojë rinovimin futbollistit.

Sançez  – Një tjetër objektiv i deklaruar i Milanit është Renato Sançez. Bajerni është duke bërë çmos që kuqezinjtë ta marrin, por duke paguar fillimisht. Rumenige, Ançeloti dhe Hënes. Të tre pro këtij operacioni. Pikërisht kjo është ajo që ka bërë drejtuesit kuqezi që të qëndrojnë në pritje për  të kuptuar se pse nxitohet Bajerni për ta dhënë lojtarin dhe, sidomos te Milani. Në Angli flasin edhe për një përfshirje të Mançester Junajtidit. Milani ka kërkuar huazim me të drejtë blerje, Bajerni do detyrim blerjen: 6-7 mln euro huazim për dy vjet dhe 40 mln euro blerja, e paguar në dy këste.

 

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here