Milani në ankth, Bonaventura rrezikon të mbetet disa muaj jashtë

Trajneri Gatuzo e kishte bërë të qartë menjëherë pas ndeshjes së Milanit me Juventusin. Lajmet rreth Xhakomo Bonaventurës nuk ishin aspak pozitive. Aq sa, sipas gjasave, lojtari duhet ti nënshtrohet operacionit në gjurin e majtë.

Ky është një problem, i cili e shqetëson mesfushorin prej afro një muaji. Gjuri vazhdon ti shkaktojë dhimbje dhe për këtë arsye, ndërhyrja kirurgjikale mund të jetë e pashmangshme. Një telash mjaft i madh për kuqezinjtë, duke qenë se Bonaventura rrezikon të qëndrojë jashtë fushave nga 3 deri në 5 muaj.

Lojtari është i dëmtuar prej 25 tetorit të kaluar, por edhe gjatë verës së kaluar qëndroi gjatë në infermieri për shkak të një lëndimi kronik. Te Milani situata është alarmante, sepse mesfushori i shtohet listës së gjatë të dëmtimeve, pjesë e të cilës janë edhe emra si Bilia, Kaldara e Musakio. Përpos rezultateve të skuadrës dhe zërave të vazhdueshëm rreth së ardhmes së Gatuzos, ky është një tjetër problem madhor në Milanelo.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *