Milani merkato te Partizani, synohet përgatitësi atletik

Nga përtej Adriatikut vjen propozimi befasues për përgatitësin atletik të të kuqve

Milani është pa përgatitës atletik dhe në këto kushte kërkon t’i vjedhë Luçiano Moçit, Korrado Sakonen. Është gazeta prestigjioze italiane “La Repubblica”, që pohon një fakt të tillë. Me një shkrim të gjatë për gjendjen e kuqezinjve, gazeta pranon se Milani ka larguar përgatitësin e mëparshëm Emanuele Marën. Menjëherë klubi është vënë në lëvizje dhe ka në shënjestër një ish përgatitës nga Seria A. Bëhet fjalë për ish-bashkëpunëtorin e Sarrit, Korrado Sakone, që ka punuar deri një vit më parë te Napoli me Hysajn dhe vetë trajnerin që la Empolin për skuadrën më të njohur në Jug të Italisë. Dihet gjithashtu se Sakone punon me të kuqtë e Partizanit ku konsulent është Luçiano Moxhi dhe mediat e konsiderojnë një vjedhje që po bën skuadra kuqezi ndaj “Big Luçianos”.

Në fakt ai që kërkon ta afrojë te Milani është Marko Fasone. Dyshja Fasone-Sakone kanë punuar bashkë te Napoli dhe e njohin mirë njëri-tjetrin. Lidhja e tyre daton prej 2011-ës. Në fakt, për të gjithë në Milano, Sakone është zëvendësuesi i mundshëm i Marrës te Milani. Madje emri i përgatitësit atletik të Partizanit është i pari në listën e Fasones. Dhe nëse gjithçka mbyllet pozitivisht, emri i Sakones do të zyrtarizohet brenda 15 tetorit, para derbit me Interin. Skuadra kuqezi kërkon që përgatitësi atletik të jetë në Milanelo sot në stërvitjen e parë pas tri ditëve pushim të lënë për ekipin e Milanit nga drejtuesit. Gjatë këtyre ditëve, drejtuesit më të lartë të skuadrës kuqezi janë takuar për të vendosur për fatin e përgatitësit atletik që përtej Adriatikut vënë bast se do të jetë Korrado Sakone. Mesa duket oferta joshëse e kuqezinjve mund të sjellë largimin e italianit nga Partizani, për të hedhur një hap të madh në karrierë në një skuadër prestigjioze si Milani. Në ditët e ardhme pritet të ketë dhe një takim mes drejtuesve të Milanit dhe përgatitësit të Partizanit për të vendosur rreth të ardhmes. Nëse italiani largohet nga ekipi i të kuqve, kjo të ishte një humbje për skuadrën nënkampione të Shqipërisë e cila është në krizë rezultatesh dhe një humbje e tillë do të ndikonte në gjendjen fizike të skuadrës.

Duhet pranuar se Partizani ka fatin të ketë në stafin e tij përgatitësin atletik Korrado Sakone. Italiani ka fituar dy trofe në Itali, Superkupën dhe Kupën e Italisë, tashmë ka pranuar dhe po provon aventurën me të kuqtë. Ai ka shumë eksperiencë, pasi ka punuar për shumë vite në Serinë A. Sakone ka punuar në Napoli nga edicioni 2010-11 deri në vitin 2016. Ndërsa nga edicioni 2016-17 punon me të kuqtë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *