Milani i ri, Maldini dhe Gatuzo: Gazidis zbulon projektin

Milani do të nisë një tjetër sezon nga zeroja, me kuqezinjtë që dështuan për t’u kualifikuar në UEFA Champions League, teksa e mbyllën kampionatin në vendin e pestë. Trajneri Gatuzo dhe drejtori teknik Leonardo, u laguan një ditë më parë dhe tashmë ka nisur rindërtimi i ekipit.

Ringritjen tashmë e ka të gjithën në dorë shefi ekzekutiv Ivan Gazidis, i cili dhjetorin e vitit të kaluar u mor me bujë nga Arsenali. E gjitha është në dorën e afrikano-jugorit, me këtë të fundit që ka dhënë një intervistë të gjatë për “Gazzeta dello Sport”.
Gazidis ka sqaruar gjithçka mbi projektin e ri, ndërsa ka folur edhe mbi dy të larguarit Gatuzo-Leonardo. Gjithashtu, shefi ekzekutiv i klubit foli dhe për Maldinin, për të cilin tha se e kërkon me çdo kusht ta ketë në krah në sfidën e tij.

FONDI ELLIOT – “Kam ardhur në dhjetor këtu dhe gjithë kohën jam munduar të kuptoj klubin dhe futbollin italian. Nëse nuk kam folur intensivisht këto kohë, ka ndodhur për shkak se kam qenë duke studiuar gjithçka. Tani që sezoni është mbyllur, është koha të shpjegoj projektin. “Elliot” e mori klubin në një kohë shumë të shkurtër dhe i duhej të zgjidhte shumë probleme. Të themi të vërtetën ishte “Elliot” që e shpëtoi Milanin, duke paguar 220 milionë euro, pasi në të kundërt, klubi rrezikonte falimentimin dhe rënien në kategoritë më të ulëta.”LEONARDO – “Pas shpëtimit të Milanit, erdhi Leonardo. Gjithmonë do ta falënderoj për punën e tij të madhe për të ringritur klubin. Gjithmonë do t’i jemi mirënjohës. Ai vendosi që të largohej, pasi kërkonte të jetonte sfida të reja. Nuk ka pasur asnjë konflikt me të, përveçse respektit për atë që ka bërë për Milanin.”

GATUZO – “Nuk kam fjalë për të pëshkruar Gatuzon. Një njeri i jashtëzakonshëm, i cili çdo përgjegjësi e mbante në shpatullat e tij, ndonjëherë mbante edhe gjëra që nuk i takonin. Ai bëri një analizë vetë dhe vendosi që të lagohej. Rino do të mbetet gjithmonë një mik i klubit. Nuk e njihja më parë, por tani kam një respekt të pafundëm për të.”
MALDINI – “Do të më pëlqente shumë që Maldini të qëndronte me ne dhe të na ndihmonte në këtë sfidë të vështirë që kemi përpara. Do të ketë një rol akoma më të rëndësishëm nëse qëndron. Paolo prezanton vlerat dhe kulturën e këtij klubi, e admiroj një person si ai. Është njeriu ideal për të menaxhuar pjesën teknike. Ka qenë një sezon i lodhshëm për të gjithë dhe Paolo gjithashtu ka kërkuar kohë për të më komunikuar nëse ka apo jo energjinë e mjaftueshme për të nisur një tjetër projekt të ri. Ky është kushti për këdo që vjen te Milani. Gjithsesi në rastin e Maldinit, ai nuk duhet të vijë te Milani, sepse ai është vetë Milani. Tani po pres për vendimin e tij. Më pas, do të mendojmë për trajnerin e ri si dhe për lojtarët që do të afrojmë.”
TRAJNERI I RI – “Zgjedhjen e trajnerit të ri do ta bëjmë me shumë kujdes. Nuk ka rëndësi se nga vjen apo çfarë moshe ka. E rëndësishme është që të jetë i duhuri për atë çfarë duam të ndërtojmë. Zgjedhja e trajnerit do të bëhet dhe me ndihmën e Maldinit. Do të studiohet çdo detaj dhe do të bëhet çdo gjë me qetësinë më të madhe. Historinë, personalitetin, profilin e tij, rezultatet, statistikat si dhe mënyrën e lojës, do të studiojmë çdo gjë. Nuk duam të na shpëtojë asgjë. Kemi një rrugë të gjatë dhe një sfidë të madhe përpara. Jam i sigurt që do të fitojmë.”BLERJET NË MERKATO – “Do të ketë një balancë mes lojtarëve të rinj në moshë dhe atyre lider, të cilët kanë edhe eksperiencën. Nuk do të investojmë në ‘Top Player’, por në lojtarë të rinj, të cilët mund të bëhen të tillë me fanellën tonë dhe pasi të bëhen të tillë nuk do të shiten, por do të jenë pjesë e klubit dhe do të bëjnë historinë me Milanin.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *