Milani i ri, kthehet Leonardo. Pol Singer garanton siguri financiare

Milani i fondit Elliott do të nisë gjithçka nga e para, duke u bazuar tek… e shkuara. Është arritur marrëveshja mes Leonardos e klubit kuqezi, me brazilianin që do të kthehet në organigramën drejtuese. Do të jetë roli i katërt që Leonardo do të mbulojë në klubin kuqezi: futbollist në periudhën 1997-2003, president i fondacionit Milan deri në 2006, trajner në sezonin 2009-2010 dhe tashmë si drejtues, një lloj supervizori për merkaton dhe jo vetëm kaq, sepse marrëveshja parashikon postin e përgjegjësit për zonën teknike. Me shumë gjasa, Masimiliano Mirabeli do të vijojë detyrën si drejtor sportiv, por do të jetë në varësi të Leonardos.

JAVA E ZJARRIT – Fondi Eliot, që ka një pasuri prej 35 miliardë dollarësh, ka mbyllur gjithçka në më pak se një javë: kalim pronësie të klubit, përmbysja e vendimit të UEFA-s në CAS, me Milanin që kthehet në Europa League, largim i Fasones si administrator i deleguar, Skaroni e pason dhe bëhet edhe president. Një revolucion total, pasi tashmë nga Milani kinez ka mbetur vetëm Mirabeli, por edhe Gatuzo, i cili është konfirmuar në stol.

SINGER – Themeluesi dhe bosi i Elliott Management Corporation, ka deklaruar pas zhvillimeve të sotme: “Zgjedhja e një Këshilli të ri Administrimi shënon një tjetër hap për ta rikthyer Milanin në rrugën e duhur. Elliott është në gjendje të furnizojë Milanin me stabilitet financiar dhe supervizionin e duhur, elemente themelore për sukses në fushë dhe një eksperiencë të nivelit botëror për tifozët. E dimë vendin që mban Milani në botën e futbollit dhe jemi të vetëdijshëm për përgjegjësinë që buron nga zotërimi i një klubi me histori kaq të madhe”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *