Milani i 2018-ës është super, por Jonghong Li është në telashe

0

U desh ndërrimi i viteve që Milani të ringjallej, sepse për Krishtlindje erdhi një humbje mëse e merituar në San Siro kundër Atalantës, por që aty nisi rilindja. Pas fitores mjaft të rëndësishme kundër Sampdorias në Milanelo është kthyer entuziazmi, ai i vërteti, dhe arsyet janë të shumta: ka ardhur fitorja e pestë në 6 ndeshjet e fundit, skuadra po vrapon dhe po luan mirë, Bonaventura është ringjallur, Çalhanoglu më në fund ka shpërthyer dhe mbrojtja po bind. Rino Gatuzo, me pak fjalë, po realizon një mrekulli të vogël.

Renditja tani thotë 41 pikë, duke kapur Sampdorian dhe duke shtuar oreksin. Meritë e Gatuzos, mbi të gjitha, sepse në pak javë gjithçka ka ndryshuar dhe përgatitja e tij atletike po nis të japë fryte. Interi është vetëm 7 pikë larg, që janë shumë, por e kujtoni pak ku ishte Milani në dhjetor?

Skema 4-3-3 ka qenë zgjedhja e duhur, sepse Suso është kthyer ai i zakonshmi dhe Çalhanoglu po tregon pse vlerësohej aq shumë në Gjermani, duke u kuptuar me sy mbyllur me spanjollin. Bonaventura është kthyer perfekt, duke shënuar 5 gola pas ardhjes së Gatuzos, ndërsa Kalabria e Rodriguez po shkëlqejnë në krahët e mbrojtjes.

Kundër Sampdorias u pa një skuadër e aftë të fitonte edhe pa ndonjë lojtar kyç, si Kesie, ndërkohë që u kalua pa problem edhe tronditja e fillimit, kur Rodriguez humbi penalltinë. Me pak fjalë, Milani është skuadër dhe kjo është merita e Gatuzos. Nëse cilësia nuk është maksimale, nuk është faji i tij dhe Milani i vërtetë do të shihet në ndeshjet e ardhshme, kundër Romës, Lacios e Interit, por nëse kalohen me sukses këto 3 sfida, sezoni do të kthehet krejt papritur ndoshta në më të suksesshmin e viteve të fundit dhe San Siro do të mbushet përsëri.

JONGHONG LI ËSHTË NË TELASHE – Në fushë gjërat po ecin mbarë, por jashtë saj nuk ka arsye për të festuar, sepse nga Kina vijnë lajme shqetësuese. Sipas asaj që shkruan Corriere della Sera, re të zeza qëndrojnë mbi blerjen e Milanit nga Jonghong Li. Biznesmeni kinez duket se është pronari i një kompanie që është në borxhe të mëdha dhe dy banka që i kanë dhënë kredi e kanë paditur, duke bërë që kompania të dalë në ankand për të shlyer bankat. Urdhri është që Jonghong Li të shesë në ankand 11,39% të aksioneve që i përkasin te Zhuhai Zhongfu, e kuotuar në bursë për një vlerë prej 60 milionë eurosh. Të ardhurat nga ankandi do të shkojnë te bankat, që kanë hapur çështjen gjyqësore.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.