Milani dhe Ibrahimoviç po shkojnë drejt ndarjes, “Zoti” do të zbresë si… trajner

Rrugët e Milanit dhe Ibrahimoviçit po shkojnë drejt ndarjes. Largimi i Bobanit nga posti i tij në klubin italian ka sjellë edhe një ngërç mes sulmuesit suedez dhe Ivan Gazidis. E kjo situatë bën të mendosh se nuk do të ketë një rinovim në fund të sezonit, teksa 38-vjeçari nuk bën më pjesë në planet e klubit kuqezi.

Kështu Ibrahimoviç ka nisur që tani të mendojë për të ardhmen e tij. Një mundësi është ajo e varjes së këpucëve në gozhdë, në mënyrë që lojtari suedez të vijojë më pas karrierën si një trajner. Tërheqja po mendohej nga Ibra që përpara se t’i bashkohej Milanit, por më pas vendosi të vishte edhe një herë fanellën kuqezi.

Ndërkohë një pistë tjetër është edhe ajo e kalimit te Napoli, teksa Gattuso dhe Ibrahimoviç mbajnë raporte mjaft të mira me njëri-tjetrin. Megjithëse 38 vjeç, shtatlarti suedez e ka treguar me Milanin se mund të japë ende në fushë dhe dallohet qartë edhe në ndryshimin që pësuan “djajtë” pas ardhjes së tij në skuadër./Sport Ekspres/