Mihani: Besa ka nevojë për tifozët

Kapiteni i Besës optimist para ndeshjes me dibranët: Synojmë që të marrim pikët e plota dhe të largohemi sa më shpejt nga fundi

Fatmir Efica

Meglid Mihani, me përvojën e gjatë si futbollist në Superiore, por edhe me shembullin konkret si një profesionist i vërtetë në stërvitje e takimet zyrtare është “truri” i Besës. Ai ka treguar dje se ajo fitore arritur fundjavën e kaluar në Krujë ndaj Kastriotit kryesues, ishte sinjali që Besa e kaloi “ngërçin”. Si në planin psikologjik ashtu edhe atë sportiv. “Skuadra thjesht kishte kaluar një moment të vështirë për disa javë prej mungesës së pikëve që kryesisht erdhën edhe nga gabime foshnjarake të bëra apo dhe mungesa e fatit, – saktësoi kapiteni. “Tani, situata duket krejt ndryshe. Le ta themi hapur se këtë ditë kemi pritur. Për të hyrë në ritmin tonë të zakonshëm. Natyrisht që edhe takimi i fundit i mbetur për fazën e dytë që e luajmë në fushën tonë ndaj Korabit kërkon vëmendje maksimale nga ana jonë. Vlerësimi gjatë kësaj jave stërvitore i tillë ka qenë nga ana e të gjithë futbollistëve dhe drejtuesve të stafit teknik. Nisur nga kjo, objektivi i vetëm për ne mbetet fitorja dhe marrja e pikëve maksimale. Kjo do të na mundësojë që në fazën e tretë të futemi me tjetër moral në fushë. Besa, as mos e mendojë kush se do të jetë në listën e atyre ekipeve që do të diskutojë mbijetesën.

“Vërtet fati i keq na qëlloi që edhe matematika nuk na lejon tashmë të luajmë në pesëshen e parë, por në grupin që do të luajë për vendet 6-10.  U bëj thirrje tifozëve që të vijnë në takimin e së shtunës ndaj Korabit në stadiumin “Besa”, pasi mbështetja dhe entuziazmi i tyre do të jetë një impuls pozitiv në lidhje me këtë skuadër, që pavarësisht shumë emrave të rinj ka ardhur duke e përmirësuar performancën e vet”, – ka theksuar Meglid Mihani, një nga kualitetet e skuadrës së Besës dhe Kategorisë së Parë.  

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *