Migjen Basha tregon se debutoi në Australi, portieri i Interit: Fatkeqësisht ke të njëjtin model flokësh

Migjen Basha ka debutuar pak ditë më parë në Australi me ekipin e Melbourne Victory. Vetëm 5 minuta në fushën e lojës, për shkak të stërvitjes së pakët që ka bërë me ekipin dhe problemeve me dokumentacionin që e kanë vonuar disi në këtë aventurë të re.

Ekipi i tij do të barazonte pa gola ndaj Melbourne City. Mesfushori shqiptar ka postuar edhe një foto në “Instagram” duke treguar mbi këtë debutim. Përgjigja e veçantë do t’i vinte nga portieri aktual i Interit, Daniele Padelli, që e ka pasur edhe shok skuadre dikur te Torino: “Fatkeqësisht, ke të njëjtin model flokësh”, ishte përgjigja me humor e Padellit.

E sa i përket ambientimit te Melbourne Victory, të gjithë e kanë pritur krahëhapur Migjen Bashën. Ky i fundit tregon edhe problemet që ka me gjuhën: “Megjithëse unë nuk e flas mirë anglishte, çdo lojtar përpiqet që të flas me mua. Kur unë flas anglishte të keqe, ata më kuptojnë mua, por problemi është kur komunikoj me ata lojtarë që kanë një theks disi më ndryshe si Broën apo portieri Acton. Ndonjëherë kur unë nuk i kuptoj fare lojtarët kur flasin anglisht, vetëm buzëqesh dhe largohem”, shprehet Basha. /Sport Ekspres/