Mici: Shkëndija, skuadër profesioniste! Në Shqipëri do ishim kampion këtë vit

Gledi Mici u transferua në merkaton e verës nga Skënderbeu tek Shkëndija e Tetovës. Mbrojtësi, i cili në të shkuarën ka qenë pjesë e Kamzës, Flamurtarit, Kukësit dhe së fundmi Skënderbeut tani ka nisur një eksperiencë të re në Tetovë.

Në një intervistë për “SportEkspres.com”, Mici flet rreth aventurës së re me kuqezinjtë. 27-vjeçari bën dhe krahasimin mes futbollit shqiptar dhe atij maqedonas, duke treguar se sa shumë ndryshojnë skuadrat e Superiores, krahasuar me ekipin e tij të ri.

Shkëndija shihet nga Mici si një trampolinë, e cila mund t’i mundësojë një tjetër hapa para në karrierë. Mbrojtësi beson se kuqezinjtë nuk do ta kishin aspak të vështirë që të fitonin këtë edicion titullin, nëse do të luanin në Shqipëri, por thekson se diçka të tillë do ta arrijnë në Maqedoni, ku për pak ndeshje do të nisin dhe shkëputjen.

INTERVISTOI: Jurgen Zela

Gledi, keni nisur një aventurë të re në Maqedoni, si ka qenë kjo nisje për ju?
-Ka qenë një nisje pozitive mund të them. Jam përshtatur menjëherë me ekipin e ri falë të gjithë faktorë, duke nisur që nga shokët e skuadrës, stafi presidenca dhe tifozeria.
Jeni bashkua pak vonë me ekipin, e ndjeni veten tani në 100%, pasi keni gjetur dhe golin e parë javën që shkoi?
-Po, e ndjej veten shumë mirë dhe jam mjaft i kënaqur e formën që po kaloj. Dita ditës mundohem që të përmirësohem në stërvitje.
Sa ndryshon futbolli ne Maqedoni nga ai shqiptar?
-Mendoj se futbolli në Maqedoni është më i hapur. Të gjitha skuadrat luajnë një futboll sulmues. Këtu mund të them se ka lojtarë me cilësi dhe me të ardhme. Futbolli në Shqipëri është më shumë fizik.
Pra, futbolli atje është rritur më shumë se në Shqipëri?
-Nuk di të them me siguri këtë gjë, por klubi ku unë jam është më profesionist se në Shqipëri.
Në çfarë aspektesh skuadra e Shkëndijës është më lart se klubet shqiptare?
-Në organizimin në tërësi. Kushtet, po ashtu dhe në anën financiare janë mjaft të përpiktë. Bëhet çdo gjë që lojtarët ta kenë sa më të lehtë të luajnë dhe të japin 100%.
Nga Vlora, në Tiranë, më pas në Korçë dhe tani në Tetovë, cilat janë përshtypjet e Micit për destinacionin e ri?
-Jam mjaft i kënaqur dhe shpresoj të bej sa më mirë këtu.
Mund të jetë Shkëndija një trampoline për ju?
-Unë mendoj se po. Jam në një ekip me emër dhe cilësi. Nëse fitojmë kampionatin dhe zhvillojmë ndeshje të mira në Champions them se gjithçka është e mundur.
Si e shikoni skuadrën këtë edicion, do të jetë dominuese si një vit më parë në kampionatin maqedonas?
-Kam shumë besim se po. Kemi sërish një grup shumë të fortë me lojtarë cilësor. Për pak javë besoj se do nisim të shkëputemi nga rivalët.
Nëse Shkëndija do ishte në Superiore, do mund të dilte kampion?
-Këtë vit në Shqipëri do dilte, vjet do ta kishte pak të vështirë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *