Mici premton: Në Zvicër e mbyllim me nder

Për mbrojtësin e krahut të majtë, Skënderbeu do të guxojë edhe në fushën e Jang Bojs për të marrë trepikëshin në fazën e grupeve

Leonard Trebicka

Skënderbeu ka edhe një ndeshje të fundit në Europë, atë me Jang Bojsin në Zvicër. Kualifikimi është mbyllur dhe për këtë ndeshje trajneri Daja ka menduar të bëjë rotacion, por sido që të jetë, korçarët do të luajnë për rezultat pozitiv. Mbrojtësi Gledi Mici mendon se fitorja në Zvicër nuk është e pamundur. Sipas tij, skuadra korçare do të përpiqet ta mbyllë me nder aventurën europiane: “Është një ndeshje e rëndësishme dhe do të shkojmë atje që ta mbyllim me nder ecurinë tonë në Europa League”, – ka theksuar mes të tjerash në intervistën e mëposhtme për “Sport Ekspres” mbrojtësi Mici.

– Gledi, Skënderbeu të enjten luan ndaj Jang Bojsit në Zvicër. Si po e prisni këtë ndeshje?

– Është një ndeshje e rëndësishme dhe do të shkojmë atje që ta mbyllim me nder ecurinë tonë në Europa League. Që pas përfundimit të ndeshjes ndaj Kukësit, jemi përqendruar te kjo transfertë europiane, po mendojmë vetëm për të. Të fitojmë për të rritur koeficientin e Skënderbeut dhe ta mbyllim me nder përfaqësimin tonë në Europë.

– Pas fitores ndaj Dinamos së Kievit dy javë më parë, a mund të bëjë Skënderbeu një surprizë tjetër në Zvicër?

– Pse jo? Në fakt, ndaj tre ekipeve që kishim në grup kemi zhvilluar ndeshje shumë të mira dhe jemi përfaqësuar denjësisht. Mund ta marrim trepikëshin dhe nuk është tabu një gjë e tillë.

– Ndeshja e fundit në Europë. Ju vjen keq që po e mbyllni këtë aventurë të bukur?

– Kemi zhvilluar një sezon super. Na vjen keq që nuk do të vazhdojmë më tej, por kemi fituar eksperiencë të madhe, që do të na shërbejë për të ardhmen. Është vërtet e vështirë të shkosh kaq larg në të tilla nivele, por kemi treguar se mund t’i përballojmë të gjithë kundërshtarët, sado emër të kenë ata. Sezonin tjetër ndoshta shkojmë më larg.

– Luhet në fushë me bar sintetik. A është ky një minus për Skënderbeun?

– Nuk besoj. Fusha e tyre nuk është si ato fusha që mendojnë të gjithë me bar sintetik. Do të fokusohemi te vetja, pa menduar për terrenet, gjyqtarët dhe gjëra të tjera. Edhe kur humbasim, nuk e kalojmë fajin te faktorët e tjerë, por e gjejmë gabimin te vetja. Shpresoj ta tregojmë veten edhe në Zvicër.

– Në ndeshjen e parë barazuat në Elbasan me zviceranët…

– Mund të barazojmë dhe në Zvicër. Barazimi nuk është rezultat i keq. Ideale është fitorja dhe e kemi impenjimin për të bërë surprizën atje. Do të jetë një ndeshje e hapur dhe për mua nuk ka ekip favorit, edhe pse luajmë në Zvicër. Shpresoj të mos pësojmë gol, pastaj se çfarë do të ndodhë, na mbetet vetëm ta shijojmë.

– Kthehemi te kampionati. A po mendoni që tani për transfertën e Laçit?

– Skënderbeu i merr ndeshjet një nga një. Kur të përfundojmë takimin me Jang Bojs, do të mendojmë për Laçin. Për ne kjo transfertë është më e rëndësishmja deri në fund të këtij viti.

– Mundët Kukësin në ndeshjen e fundit, ku ju u akuzuat për një ndërhyrje të ashpër të qëllimshme. Çfarë ndodhi në fakt?

– Nuk dua të bëj asnjë replikë për ndeshjen e fundit. I uroj suksese Kukësit, të fitojë në takimet e tjera! Ne ulim kokën dhe shikojmë vetëm përpara. Nuk na intereson çfarë flasin të tjerët.

– Skënderbeu e ka ende 0 kolonën e humbjeve. Sa do të vazhdoni kështu?

– Shpresoj të zgjasë sa më shumë, pasi është një ndjesi vërtet e veçantë. Për ne objektivi është të fitojmë titullin dhe duam ta mbyllim sa më shpejt të jetë e mundur.

– 31 pikë në 13 javë. A ka bërë Skënderbeu më të mirën?

– Deri tani kemi bërë një punë vërtet të mirë, por duhet të jemi më të përqendruar në vazhdim. As gjysma e kampionatit nuk është luajtur. Pas Europës do të kemi më shumë frymëmarrje. Ndeshjet e kampionatit do t’i përgatitim me radhë dhe me kohë të plotë.

– Do të kënaqeni këtë sezon vetëm me titullin apo doni edhe Kupën e Shqipërisë?

– Dua t’i fitojmë të dyja, por titulli mbetet objektivi kryesor, që do ta realizojmë patjetër.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *