Mici në 360 gradë: Shkëndija, kampionati shqiptar, e ardhmja dhe Kombëtarja

Gledi Mici prej pak muajsh po provon një eksperiencë të tre jashtë Shqipërisë, por në një skuadre shqiptare si Shkëndija e Tetovës. Mbrojtësi kuqezi ka krijuar një eksperiencë të madhe në vendin tonë, ku ka fituar titullin me Skënderbeun, por ka bërë mirë edhe me Flmaurtarin e Kukësin.

Në një intervistë për “RTSH Sport”, Mici flet për aventurën në Maqedoni, duke mos nguruar që të bëjë një krahasim mes dy kampionateve, por po ashtu flet edhe për Kombëtaren, duke e thënë hapur se e pret një ftesë nga trajneri i Shqipërisë.

Si ishte për ju kalimi në një kampionat tjetër?
mendoj se kalimi në një kampionat tjetër erdhi në kohën e duhur. Kisha shumë oferta nga skuadrat shqiptare, por në momentin që mora ofertën nga Shkëndija e Tetovës nuk hezitova, duke firmosur menjëherë dhe besoj se ka dalë zgjedhja e duhur.

A duhet të quhet kampionat i huaj?
Nuk mendoj se duhet të quhej kampionat i huaj, pasi Maqedonia dhe Shqipëria ndodhen afër njëra-tjetrës, por gjithsesi është diçka ndryshe nga Shqipëria.

Mund të na thoni ndonjë ndryshim që ka mes kampionatit tonë dhe atij maqedonas?
Kampionati atje është i ngjashëm me kampionatin shqiptar, thjeshtë kampionati shqiptar është më shumë fizik ekipet synojnë që të mbajnë portën e paprekur. Në kampionatin maqedonas, të gjitha ekipet duan që të sulmojnë dhe të shënojnë. Ndryshimi është te skuadra ku unë ndodhem, pasi Shkëndija është një ekip me nivel dhe parametra europian.

Është e vështirë për ty të zësh vendin e titullarit te Shkëndija?
Normalisht, në çdo skuadër është e vështir të marrësh vendin e titullarit, pasi ka konkurrencë dhe konkurrenca nuk është e lehtë, por i bën mirë ekipit. Kur shkova u ambientova shumë shpejt dhe i kam luajtur të gjitha ndeshjet titullar. Uroj që të vijoj kështu.

Sa i përket stilit të lojës dhe modulit, sa ndryshon nga periudha kur luanit në Shqipëri?
Moduli i lojës ndryshon, pasi Shkëndija është një ekip që vetëm sulmon dhe kjo ma ka bërë më të lehtë që ta ndihmoj edhe unë ekipin, duke shënuar apo duke dhënë asiste. Kampionati shqiptar është i fortë fizikisht dhe ekipet mendojnë më shumë për mbrojtjen. Nëse i hedhim një sy ndeshjeve këtu prodhohen shumë pak gola. Ndeshjet në Maqedoni kanë shumë gola, pjesa më e madhe e tyre, pasi të gjitha ekipet sulmojnë dhe duan rezultat.

A ka racizëm dhe diskriminim atje?
E kam dëgjuar shpesh këtë pyetje, por unë mendoj se është fryrë nga mediat, sesa ekziston diçka e tillë. Për sa kohë jam unë aty, nuk kam parë racizëm. Ndoshta edhe nga fakti se nuk e kuptoj gjuhën, apo se fokusohem te stërvitja, por ndihem mjaft mirë aty ku ndodhem mbështetja ndaj shqiptarëve nuk mungon. Nuk besoj se ka racizëm. Gjërat politike nuk më përkasin mua.

A keni menduar të bëni ndonjë lëvizje tani shpejt, të ndryshoni ambient?
Unë ndodhem te Shkëndija prej 5 muajsh dhe jam shumë i fokusuar për të dhënë më të mirën time. Nëse vjen ndonjë ofertë nga jashtë, jam i bindur se presidenca do ta shqyrtojë dhe nëse do të jetë në të mirën e të gjitha palëve, pse të mos ndodhë ndonjë lëvizje. Nëse nuk është kështu, unë jam shumë i kënaqur këtu ku ndodhem.

Pas largimit të Ansi Agollit, besoni se mund të jeni ju zëvendësuesi ideal?
Të zëvendësosh Agollin është mjaft e vështirë, pasi dihen vlerat e tij dhe kontributi që ka dhënë për Kombëtaren. Unë e kam shprehur gjithnjë dëshirën për të qenë pjesë e Kombëtares. Është një dëshirë shumë e madhe e imja, gjithashtu mendoj se e meritoj një ftesë nga Panuçi, për ta provuar dhe veten. Jam në pritje. Nëse vjen do të jem shumë i lumtur.

Ka ndonjë të përbashkët mes Skënderbeut dhe Shkëndijës së Tetovës?
Janë dy klube që kanë shumë të përbashkëta në organizim. Jo më kot kanë marrë rezultate në arenën ndërkombëtare. Ndaj jam ambientuar mirë, pasi mu duk sikur kalova nga Skënderbeu te Skënderbeu. Kushtet janë thuajse të njëjta.

Si të duket kampionati shqiptar tani që e sheh nga larg?
Shumicën e ndeshjeve i kam ndjekur. Them se kampionati ka pësuar rënie në cilësi dhe skuadrat janë thuajse të barabarta. Të them të drejtën më ka surprizuar Teuta, pasi po bën një edicion mjaft të mirë, me djem të rinj dhe me 2-3 sportistë me eksperiencë. Dihen  vlerat e trajnerit Shkëmbi. Ka një miks mes lojtarëve me eksperiencë dhe atyre të rinj. Dihet që dua ta shoh Skënderbeun më lart, edhe pse për momentin kanë disa probleme. Duke ditur vlerat e atij klubi dhe qetësinë që e karakterizon, jam i sigurt se do të ngrihet shumë shpejt.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *