Mici do kupën dhe paralajmëron: Në kampionat nuk gabojmë më

0

Skënderbeu luan nesër kthimin e gjysmëfinaleve të kupës dhe duhet të mbrojë në Durrës avantazhin 1-0 të ndeshjes së parë. Kupa merr rëndësi edhe për faktin se Skënderbeu rrezikon të mos e fitojë titullin.

Mbrojtësi Gledi Mici ka folur para sfidës së nesërme, duke e vënë theksin te detyrimi për të mos pësuar gol: “Në ndeshjen e kthimit është e rëndësishme të mos pësojmë gol dhe të kualifikohemi në finale për ta fituar Kupën, pasi ky trofe është një prej dy objektivave madhorë të Skënderbeut. Përderisa kemi ardhur deri në këtë pikë, besojmë 100% te fitimi i Kupës, por duhet bërë kujdes, pasi Teuta është e fortënë shtëpi”.

Teuta nuk fiton në shtëpi përballë korçarëve prej shtatorit 2014, por Mici nuk u beson statistikave: “Ndeshjet me Teutën kanë qenë gjithmonë të forta dhe të vështira. Presim një Teutë agresive në sulm, pasi nuk kanë çfarë të humbin. Pas fitores në fushën e parë, ata do të na sulmojnë, por ne e kemi përgatitur ndeshjen që të fitojmë. Gjithmonë kemi qenë shumë të qetë psikologjikisht, pavarësisht se nuk kemi marrë rezultatin e dëshiruar. Megjithatë loja ka qenë gjithmonë aty, i kemi dominuar të gjitha ekipet si në fushën tonë, ashtu edhe në ndeshjet jashtë fushe.”

Ndonëse 3 pikë larg kreut në kampionat, mbrojtësi 26-vjeçar beson se Skënderbeu mund t’i fitojë të dy trofetë për herë të parë në histori: “Do të preferoja më tepër të fitoja kampionatin, por edhe Kupa është objektivi ynë. Përse jo t’i fitojmë të dy trofetë. Ne jemi kampionët e Shqipërisë dhe të gjithë na e kanë frikën, kjo është mëse normale. Tre pikë nuk janë shumë, pasi luhen edhe 7 javë. Shpresoj që kundërshtarët të gabojnë sa më shpejt, sepse Skënderbeu nuk do të gabojë më.”

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image