Mezanit i prishin festën, Drenica festival golash KEK-ut

Gjilani nuk shkoi më shumë se një barazim 1-1 në shtëpi përballë Trepça ’89. Gentian Mezani e nisi me një pikë aventurën në krye të “Skifterave”. Vendasit gjeten shumë shpejt golin. Wilber Perez gjeti rrjetën në minutën e tretë pas një asisti të Maganit, ndërsa ekipi nga Mitrovica barazoi me anë të Hasan Hysenit në minutën e dytë të pjesës së dytë.

Ndeshja nuk pati më gola dhe nga kjo pikë përfiton më shumë Trepça që është ngjitur në kuotën e 29 pikëve, ndërsa Gjilani renditet në vendin e gjashtë me 33 pikë.

Drenica nuk hasi aspak probleme për të mposhtur me goleadë KEK-un e vendit të fundit. Miqtë nuk fitonin në kampionat që nga 23 shkurti, kur mposhtën Ferizajn në shtëpi me rezultatin 3-1.

Elshani dhe Uka shënuan dy gola të shpejtë për Drenicën, ndërsa Eminhaziri shkurtoi rezultatin në fundin e pjesës së parë. Miqtë shënuan edhe dy herë të tjera në fillimin e pjesës së dytë, ndërsa vulosën “manitin” në minutat e fundit. Kjo fitore e ngjit Drenicën në vendin e pestë me 33 pikë, ndërsa KEK-u mbetet në vend të fundit me vetëm një pikë.

IPKO SUPERLIGA E KOSOVËS – Java 24

Gjilani 1–1 Trepça ‘89
Shënues: Perez 3’ / Hyseni 47’

KEK-u 1-5 Drenica
Shënues: Eminhaziri 37’/ Elshani 4’, Uka 13’, Mëziu 54’, Grajqevci 57’

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *