Mezani: Të shfrytëzojmë momentin, pa eufori

Laçi vjen pas 3 rezultatesh pozitive radhazi. Me Kukësin në shtëpi kërkohet rikthimi te fitorja pas dy barazimeve të fundit. Trajneri Gentian Mezani po bën një punë mjaft të mirë në stolin e bardhezinjve, diçka që e thonë dhe statistikat që kur vlonjati ka marrë drejtimin. Për “Supersport” tekniku i kurbinasve vendos theksin te përqendrimi që duhet të ketë skuadra e tij për ndeshjen me Kukësin, teksa fillimisht shprehet: “Pa diskutim që është një ndeshje e vlerësuar maksimalisht nga ana jonë pasi përballë kemi kampionen e Shqipërisë. Vijmë nga disa rezultate pozitive, është një moment i mirë për ne por duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë. Do të gabonim nëse do të neglizhonim apo mbivlerësonim veten tonë”.

Laçi është skuadra e cila ka mesataren e moshës më të re, megjithatë po arrin mjaft sukses, teksa pozicionohet në vendin e pestë me 14 pikë. Mezani tregon se rezultatet e mira përkthehen në një atmosferë pozitive, çka i shtyn të besojnë se do të vazhdojnë me këtë ritëm dhe përballë Kukësit: “Kemi një skuadër me djem të rinj dhe rezultate pozitive japin atmosferë pozitive. Duhet ta shfrytëzojmë këtë moment të mirë tonin. Kukësi nuk është në një situatë të mirë gjithashtu. Ta vlerësojmë dhe të marrim atë që meritojmë”.

Trajneri vlonjat përsërit dhe një herë faktin se skuadra duhet t’i marrë ndeshjet një e nga një, pasi vetëm në këtë mënyrë do të kenë rezultatet e shumëdëshiruara: “Pres që t’i vlerësojmë të gjitha ndeshje. Ua them gjithmonë lojtarëve si para seancave stërvitore ashtu dhe para ndeshjeve. Duhet t’i marrim ndeshjet një e nga një. Pa menduar për më vonë. Vetëm në atë mënyrë mund të marrim atë që duam. Duhet të grumbullojmë sa më shumë pikë për në dhjetor për të qenë sa më të qetë. Skuadrat janë shumë afër dhe me një rezultat mund të ngrihesh lart por mund të zbresësh dhe poshtë”, përfundon Mezani.

 

Formacioni i mundshëm i Laçit (4-4-1-1)

SELMANI

Fangaj Qaqi Gjoni Shala

Nika Bardhi Jonuzi Uzuni

Eskerda

Rexhinaldo

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *