Mezani: Objektivi ynë? Vetëm ndeshja e radhës

Tekniku vlonjat ka komentuar aventurën e tij të re te Laçi, duke theksuar se beson te suksesi me bardhezinjtë

Gentain Mezani e nisi mirë aventurën e tij në drejtimin e Laçit teksa arriti që të triumfonte me rezultatin e pastër 2-0 përballë Vllaznisë në shtëpi. Tekniku vlonjat për “RTSH Sport” ka folur rreth  aventurës e tij të re në radhët e kurbinasve, por njëkohësisht dhe rreth objektivave që ka me skuadrën bardhezi. Mezani tregon se ka besim te elementët që ka në skuadër, por njëkohësisht deklaron se skuadra duhet të marrë çdo ndeshje një e nga një nëse dëshiron që të arrijë suksesin.

AVENTUAR NE RE – “Absolutisht, unë kam dëshirë të punoj dhe normalisht do të shkoj aty ku do të gjej punën. E mira do të ishte të isha në Vlorë, por kjo punë nuk ka zgjedhje, detyrimisht duhet të shkojmë aty ku ka punë dhe nuk është një problem i madh për mua”.

LAÇI – “E kisha ndjekur skuadrën e Laçit në tre ndeshjet e para dhe e dija se ishte një skuadër me elementë të rinj. Më ka pëlqyer po thuajse në të tre ndeshjet, pasi kjo skuadër kishte grintë. Kishte çuna me dëshirë dhe nuk u zhgënjeva kur mora drejtimin e skuadrës, pasi i pash të njëjtat gjëra në ndeshjet që kisha parë në javët e para. Realisht nuk e di se çfarë nuk funksionuar në javët e para. Di që ka bërë një ndeshje shumë të mirë me Partizanin ku arriti dhe fitoren. Mendoj se kam bërë disa ndryshime të vogla në skuadër, por dhe koha ishte shumë e shkurtër për të bërë ndryshime të mëdha. Fillimi i mbarë i punës më kënaqi, pasi ishte një ndeshje e vështirë, përballë një skuadre mjaft të mirë si Vllaznia. Fitorja na kënaqi, pasi skuadra vinte pas dy humbjeve radhazi. Nuk kam ndonjë objektiv të vendosur nga presidenti i Laçit”.

OBJEKTIVAT – “Kam objektiv ndeshjen e radhës, të grumbulloj sa më shumë pikë, ky është objektivi. Është vetëm fillimi dhe gjatë rrugës do të mendojmë dhe për objektivin sezonal. Mendoj se gjithmonë duhet të jetë në këtë mënyrë, pasi vetëm kështu mund të ecim përpara, duke menduar ndeshjen e radhës. Nëse do të mendonim se çfarë do të arrinim do i vështirësonim gjërat. Si skuadra dhe ne si staf duhet të shohim vetëm ndeshjen që kemi përpara, të jemi sa më të qetë në renditje në kampionat dhe më pas do të mendojë sigurisht dhe për Kupën, nuk diskutohet”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *