Mezani: Nuk duhet të humbasim!

Trajneri i Laçit luan për 1 pikë. “Një pikë do na vlente. Llogaritë bëhen në fund. Kupa është objektivi ynë”

Trajneri i Laçit, Gentian Mezani, foli para ndeshjes me Partizanin. Takim ky që do të luhet ditën e sotme prej orës 18:00, në stadiumin “Selman Stërmasi”. Ekipi kurbinas do të tentojë të marrë pikë në kryeqytet. Numri një i stolit nuk e pranon publikisht, por është mjaft i kënaqur edhe me një barazim të mundshëm. Tekniku vlonjat “qan” pikët e humbura me Teutën, ndërsa nuk mendon të bëjë llogari që tani.

PARTIZANI – A ka trajner në botë që pranon se skuadra e tij do të luajë për barazim? Jo, asnjë. Ata shprehen në mënyrë të tërthortë se e rëndësishme për ekipin e tyre është të mos humbasë. Të njëjtën gjë ka bërë trajneri Mezani para ndeshjes me Partizanin. Ai shpreson të marrë pikë, pra me një barazim do të ishte i lumtur. “E rëndësishme është të mos humbasim. Ne do të futemi për të fituar. Do të bëjmë më të mirën. Edhe një pikë do na vlente. Llogaritë bëhen në fund”.

TEUTA – Mezani “qan” më shumë barazimin kundër Teutës në fushën e Laçit. Ai mendon se skuadrës së tij i prish punë ai rezultat, pasi në ndeshjet brenda fushe nuk duhet që ta konsiderojnë fitoren. “Është një barazim që na prish punë, pasi është një ndeshje brenda dhe nuk mund të tolerojmë aspak. Do të ishte mirë të ishte një fitore, por tani i takon të shkuarës dhe duhet të vazhdojmë përpara. Do të bëjmë më të mirën për të marrë më të mirën në çdo ndeshje”.

OBJEKTIVAT – Trajneri e pranon se Kupa është objektivi më i madh për skuadrën e Laçit. Me anë të këtij kompeticioni mund të arrihet edhe Europa. Laçi ka fituar ndeshjen e parë me Luftëtarin me rezultatin 3-0. Kurbinasit janë me një këmbë në gjysmëfinale. “Në kampionat e kam theksuar se për ne është e rëndësishme ndeshja e radhës. Ai është objektivi ynë, për të marrë më të mirën. E kam thënë dhe më herët, Kupa është mundësia më e mirë dhe do të synojmë në atë pikë për të kërkuar Europën, pa lënë pas dhe kampionatin”.

Formacioni Laçi bëhet “gardh”, mjafton pika
Trajneri i Laçit, Gentian Mezani, ka përgatitur një formacion “gardh” për ndeshjen kundër Partizanit. Numri një i stolit do ta nisë sfidën me një 4-5-1, qëllimi është i qartë, kurbinasit nuk duan të humbasin. Vlonjati nuk ndryshon shumë nga formacioni i tij, pasi i beson titullarëve. Në portë nga minuta e parë do të jetë portieri Gentian Selmani. Mbrojtja rreshtohet me katër. Fangaj do të luajë në krahun e djathtë. Gjoni dhe Qaqi në qendër, ndërsa Sefgjini do të luajë në krahun e majtë të fushës. Mesfusha do të jetë edhe arma kryesore, pasi do të kemi një rreshtim me 5. Jonuzi, Eskerda, Bardhi, Nika dhe Uzuni do të mundohem të befasojnë Partizanin. Rexhinaldo do të jetë i vetmi që do të luajë përpara.
Formacioni i mundshëm i Laçit
Selmani – Fangaj, Gjoni, Qaqi, Sefgjini – Jonuzi, Eskerda, Bardhi, Nika, Uzuni – Rexhinaldo

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *