Mësohet periudha e mungesës së Hysajt, na rikthehet për spektaklin e “Arenës Kombëtare”

Elseid Hysaj ka pësuar një dëmtim horror në përballjen mes Torinos dhe Napolit. Teksa Ançeloti i besoi pas një kohe të gjatë mungese aktivizimi, mbrojtësi shkodran do të binte keq në tokë pas një dueli ajror me Ansaldin.

Fillimisht u mendua më e keqja, pasi doli me barrelë nga fusha e lojës. Por trajneri Ançeloti do të shprehej se gjendja nuk ishte edhe aq serioze sa mendohej. Tashmë është mësuar edhe periudha e mungesës së Hysajt në fushën e blertë, që do të jetë rreth 25 ditë.

Sipas të gjitha gjasave, shkodrani do të jetë gati për ndeshjet e fundit të Shqipërisë, ato në muajin nëntor. Sigurisht e gjithë vëmendja është te ajo përballje ndaj Franës në “Arenën Kombëtare”, duke shpresuar se kuqezinjtë do të kenë ende shanse për kualifikimin në Europian. /Sport Ekspres/