Mesjava që na kthen në mesjetë, shpëton vetëm Laçi

Sezoni i ri nisi dhe nëse koha e mirë shihet që në mëngjes, atëherë na pret furtunë. Ndeshjet e para të ekipeve shqiptare në Europë janë një kambanë serioze alarmi, për gjithë klubet shqiptare. Luftëtari, me të cilin shpresonim të krenoheshim, e djallosi në debutim. 5 gola që në pjesën e parë në Letoni, kundër Barcelonës… Ah, ndjesë, quhej Ventspils dhe ai djali që shënoi 4 gola ishte 19 vjeç. Cili 19 vjeçar shënon 4 gola në Shqipëri? Asnjë, sepse për ne 19-vjeçarët luajnë ende tek të rinjtë, ose u jepen duart, duke përfunduar shpesh në harresë, ose arratisen jashtë Shqipërie.

Luftëtari gaboi, por jo në 90 minutat e ndeshjes, pasi humbja pranohet. Ajo që nuk pranohet është të shohësh një klub që krejt papritur kujton se është në nivelin e Skënderbeut dhe largon Hasan Likën dhe disa nga heronjtë që e çuan në Europa League. Ishin 4 titullarë debutues në Letoni, asnjëri nuk dukej se e kishte idenë se ç’po bënte. Për dy vite Luftëtari kishte fituar simpatinë e të gjithëve për faktin se besonte tek të rinjtë vendas, por tani duket se strategjia e klubit nuk qenka më zbulimi i një tjetër Abazaj a Bregu, por qenka përballja me Bordonë në turin e dytë, sepse i pari ishte fituar pa luajtur fare.

Po Kukësi? Safet Gjici do grupet, mundësisht në Champions League. Harron që edhe të tjerët luajnë futboll, stërviten, paguhen dhe ëndërrojnë. Presidenti i Kukësit është si një peshkaqen kur nuhat gjak dhe e di që Europa është minierë ari nëse shkon larg, por nuk i intereson fare që Roma nuk u ndërtua për një ditë, ai është gati të bëjë stadium me 10.000 vende për një ditë, edhe pse në Kukës nuk shkojnë as 700 vetë në stadium, nëse hyrja nuk është falas. Pakult, një luks për Superioren tonë qesharake, e ka thënë shpesh që president kaq kërkues nuk ka parë, ndaj nuk është befasuar fare kur Gjici i ka thënë të largohet, se është një i paaftë që nuk merr vesh nga futbolli! Me siguri Gjici do të pendohet, por nuk i intereson, ai i bën trajnerët tw suksesshëm, nuk e bëjnë trajnerët Kukësin.

Partizanit është mëkat t’i biesh në qafë, humbi me nder (sa qejf i kishim në vitet ’90 këto humbjet dinjitoze!) . Projekti i ri, projekti numër 1245 në pak vite, kërkon kohë, ndaj po ia japim. Fundja, me Mariborin dihej që pak shanse kishin. Mund të bënin më shumë, por aq shumë probleme të mbartura ka ky Partizan, saqë është e kotë që të merremi me të. Ndoshta e ardhmja do të jetë ashtu si e perfytyron Olsi Rama: Partizan i ri dhe i suksesshëm në fushë e jashtë saj. E tashmja nuk është e tillë, ndoshta fajin e ka Edgar Çani i shkretë.

Në fund, por jo i fundit për nga rëndësia që meriton, vjen Laçi. Golin e vetëm të Superiores në Europë e shënoi Laçi, ai që vlen shumë pak në treg e jashtëzakonisht shumë në fushë. Skuadër e re, ambicioze, e qartë në idetë e saj, meritë e Pashk Laskës. Në Laç ka vazhdimësi, ka një strategji, e cila nis nga një parim: behu futbollist, paratë do vijnë vetë më vonë. Nga Selmani deri tek debutuesi Hadroj, të gjithë japin shpirtin në fushë dhe nëse Anorthosis fitoi 2-1, suksesi është i Laçit, që paguhet në total sa një apo dy nga lojtarët e njohur të klubit qipriot. Nëse Superiorja do kishte më shumë klube si Laçi, me siguri emra si Abazaj e Guri do dilnin çdo sezon dhe klubet do mbijetonin me forcat e veta.

Këtë mesjavë mungonte Skënderbeu, për fat të keq. Pa korçarët, me sa duket do të kthehemi në epokën e gurit, kur gjithë ekipet shqiptare eliminoheshin që në turin e parë. E turpshme, Skënderbeu duhej të ishte aty të na shpëtonte fytyrën, por për fat të keq UEFA e ka dënuar për mëkatet e së shkuarës jo fort të largët. Në pritje që Skënderbeu të kthehet, le të shpresojmë që klubet e tjera shqiptare ta ndajnë mendjen: ose të imitojnë organizimin e Skënderbeut në vitet e fundit, ose të imitojnë Laçin nëse nuk kanë miliona pa fund. Rrugë të mesme nuk ka, shikoni Luftëtarin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *