Mesi shtyn rinovimin, Barcelona ka edhe pak ditë kohë

Barcelona duken në kaos të plotë dhe as fitorja kundër Real Betisit në javën e parë të kampionatit nuk mund të mbulojë problemet që mbinë ngado. Ndoshta situata mund të mos jetë kaq e vrenjtur sa e paraqesin mediat spanjolle, veçanërisht ato pro Madridit. Por situata tek Barcelona nuk mund të thuhet kurrsesi se është rozë, ose ndonjë nuancë e rozës. Katalanasit po përballen me probleme të mëdha në këtë fillim sezoni, probleme që kanë shpërthyer pas largimit të Nejmarit tek PSG-ja. Kapiteni Andres Iniesta është në dyshim për të ardhmen e tij në “Camp Nou” pas më shumë se 20 vjetësh në klub.

Lionel Mesi po kërkon kohë për të firmosur rinovimin e kontratës, pasi pret nga presidenti afrime të rëndësishme në ekip. Drejtuesit nga ana tjetër ndodhen në kaos, teksa pozitat e presidentit Bartomeu janë lëkundur ndjeshëm, ndërsa ortakët e Barcelonës, që janë dhe tifozët e këtij ekipi i druhen më të keqes. Nëse nuk mjaftojnë këto fakte për të treguar se situata në “Camp Nou” nuk është e qetë, po shtojmë dhe një tjetër. Barcelona ka arkëtuar plot 222 milionë euro nga shitja e Nejmarit tek PSG-ja, por e vërteta më e madhe është se presidenti Bartomeu dhe njerëzit pranë tij kanë në dorë një shumë marramendëse dhe nuk janë në gjendje t’i përdorin këto miliona euro për të afruar lojtarët që Leo Mesi pret në ekip.  Kutinjo dhe Osman Dembele nuk duken gjëkundi me 9 ditë të mbetura nga fundi i merkato. Flitet se gjigantët spanjollë kanë arritur një marrëveshje me yllin e Nicës, Seri, por tifozët janë më të shqetësuar për një largim të mundshëm të kapitenit Andres Iniesta. Aq më tepër që fjala largim është artikuluar nga vetë mesfushori 33-vjeçar, kontrata e të cilit me klubin skadon ën fund të këtij sezoni dhe nuk ka pasur asnjë hap përpara në lidhje me një rinovim të mundshëm. Duke folur për “El Pais” ai pat deklaruar: “Fakt është se unë nuk kam rinovuar me Barcelonën. Jam disi i turbullt në mendjen time, teksa më kanë ardhur mendime që jo më larg se 3 vjet më parë as që i kisha përfytyruar. Ky është një skenar që nuk e çuar ndonjëherë në mendje. Tani kam nisur të mendoj ndryshe për veten dhe për të ardhmen time.”

Mesi – Mbetet pa diskutim shqetësimi më i madh i Barcelonës pas boshllëkut të lënë nga Nejmar dhe deklaratave të lamtumirës nga Andres Iniesta. Edhe pse bashkëpunëtorët më të afërt të presidentit Bartomeu kanë dalë rishtazi në media duke përmendur faktin se mes Barçës dhe Leos ka një marrëveshje të mbyllur, zyrtarizimi i “Pleshtit” mbetet ende në ajër. E vërtetë është se Mesi i ka dhënë fjalën klubi dhe vështirë se do të thyejë premtimin e tij, por Leo kërkon të shohë në fushë për Barcelonën lojtarë të kalibrit të këtij klubi. Deri më tani Barcelona ka afruar Semedon, Deulofeun e Paulinjon, por asnjë prej tyre nuk është bindës për Mesin. Dhe derisa Barcelona nuk do të gjejë recetën e duhur për t’i kthyer buzëqeshjen e humbur Lionel Mesit – “që Barcelona të funksionojë duhet të Mesi të jetë i lumtur” thoshte njëherë e një kohë Guardiola – nuk përjashtohet mundësia që ky të jetë sezoni i fundit i tij me “Balagranat”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *