Mesi shpërthen pas ndeshjes: E turpshme, arbitri na nxori nga loja!

Lionel Mesi nuk e fshehu zhgënjimin për eliminimin nga Copa America, por kapiteni i Argjentinës më së shumti ishte i tërbuar me arbitrin e ndeshjes Rodi Zambrano. Ekuadoriani nuk dha një penallti për albicelestet dhe nga ai aksion erdhi goli i dytë i Brazilit.

“Jemi të zemëruar, pasi kemi bërë një ndeshje të madhe dhe nuk duhet të përfundonte kështu. Ata nuk ishin superiorë ndaj nesh. Shënuan golin e parë, kurse goli i dytë erdhi pas një penalltie të padhënë për Agueron”, u shpreh Mesi për mediat.

Më tej ai shtoi: “Arbitrat morën vendime pa fund me VAR për budallallëqe, por as që e kontrolluan VAR-in, kjo është e pabesueshme. Kjo ndodhi në të gjithë ndeshjen, me sa duket janë lodhur se ndaluri lojën. Në çdo kontakt ata vendosnin në favorin e tyre dhe ky lloj arbitrimi absurd na nxori nga loja.

Nuk ka justifikime për ne, por duhet riparë kjo gjë, duhet analizuar dhe shpresoj që CONMEBOL të bëjë diçka rreth saj, edhe pse nuk shpresoj, sepse është gjithçka e organizuar”, tha Mesi mes të tjerash, duke përçuar një mesazh tek organizatorët. Në Copa America ka pasur shumë polemika, teksa në ndeshje të caktuara VAR-i është përdorur edhe pa kriter, kurse në gjysmëfinalen Brazil-Argjentinë, arbitri ekuadorian refuzoi të rishikonte rastin e penalltisë së Agueros.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *