Mesi “10 fals”, mbrojtja e PSG-së dhe arbitri: ja si erdhi remuntada

0

Të përpiqemi të “kthejmë shiritin” e historisë së pabesueshme të mbrëmjes në “Camp Nou”: për të mbërritur te një 6-1 që nuk ka precedentë në historinë e futbollit, shumë copëzave u është dashur që të shkojnë në vendin e tyre. Nga intuita taktike e Luis Enrikes te ndeshja e Nejmarit, duke kaluar te paraqitja zhgënjyese e mbrojtësve të Unai Emerit. Pa harruar zotin Aitekin.

Nuk kishte ndodhur kurrë më parë. Kurrë, që në 185 raste të mëparshme, një skuadër të thërritej të përmbyste në sfidën e kthimit një humbje 4-0, duke kaluar më pas turnin. Barcelona – po, Barcelona e Luis Enrikes së larguar – ka kthyer historinë përmbys. Dhe, me të pabesueshmen 6-1 në “Camp Nou”, ka eliminuar PSG-në në fazën e 1/8-ve të Champions. Por, të gjithë shtrojnë një pyetje: si është e mundur? Ja disa përgjigja të thjeshta, sipas një analize të posaçme.

3-3-4 e Luis Enrikes

Ndeshjet e Barcelonës, në fund të fundit, janë këto. Ato kur nuk duhet të shqetësohesh për t’u mbrojtur, por për të bërë atë që i del më natyrisht. Të sulmojë, sulmojë dhe…sërish sulmojë. Luis Enrike, pas zhgënjimi dhe dështimit në ndeshjen e vajtjes, ka investuar në mënyrë të dukshme dhe me plot besim te skema 3-3-4, provuar në ndeshjet e fundit të kampionatit (ku, ndoshta jo krejt rastësisht, ka dhuruar spektakël me gola dhe paraqitje, por edhe duke përmbysur situatën në renditjen e kampionatit)… Një sistem i përshtatur në shumë raste nga Pep Guardiola në vitin e tij të fundit në Katalonjë. Objektivi është i qartë: dyluftimet një kundër një me mbrojtjen kundërshtare, duke i dhënë mundësi Lionel Mesit që të vrapojë sa më pak të jetë e mundur në fazën e jo zotërimit të topit. Dhe, e anasjellta, për të vepruar në vijat qendrore sa i përket aspektit ofensiv. Nga “falso nueve”, pra sulmues i fshehur, në “falso dies”, sulmues fantazist, mund të thuhet. Sigurisht, kjo lëvizje shahu ka çuar në “tilt” Unai Emerin, duke nxjerrë në pah të gjithë cilësitë dhe talentin e Nejmarit (më i miri në fushë). Pa Umtitin, jo i inkuadruar, ja klasikja 3-3-4 e Barcelonës. Nejmari dhe Rafinja i japin shumë gjerësi manovrës duke luajtur në krah, Suarez vepron si pikë referimi në repartin e avancuar. E gjitha kjo ndërsa Mesi e ndërron shpesh pozicionin e tij me Rakitiç dhe Iniestën. Mënyra më e mirë jo vetëm për të shkuar te dyluftimi 1 kundër 1 me mbrojtjen e rreshtuar me ktër të Emerit, por edhe për të krijuar jo pak dyshime në pozicionimin e prapavijës së kampionëve të Francës. Pra, tre mbrojtësit e Barcelonës kanë kaluar më shumë kohë në mesin e fushës së PSG-së se në të tyren. Një tjetër provë e fatit që, kur katalanasit duhet vetëm të sulmojnë, kanë pak probleme.

Mbrojtja e PSG-së

Ana e errët e sulmit me katër të katalanasve është administrimi apo menaxhimi i mbrojtjes nga PSG. E nisim nga Tomas Munier, drastikisht i rikthyer në nivelet mediokër pas shpërthimit të ndeshjes së vajtjes dhe i bërë për turp në dyluftimin me Nejmarin. Kalojmë te Markinjos, në një mbrëmje për t’u harruar përpos episodit me Suarezin, dhe Kurzhava, autor i autogolit të 2-0. Pa harruar, në gjithë këtë bankë fajtorësh, Tiago Silvën, i cili u duk në një vështirësi të madhe dhe la hapur një pyetje: pse të mos luante, ashtu si në sfidën e parë, talenti Presnel Kimpebe, që bëri të gjithë për vete?

Dukej thuajse se Emeri nuk e kishte përgatitur aspak mirë. Sigurisht nuk ishte kështu, por ato të katërt mbrapa – shumë pak të mbështetur nga mesfusha e paaftë për të mbajtur topin (keq Verrati, Rabiot dhe Matuidi), u zbuluan të paaftë për të mbështetur peshën dhe rëndësinë e një takimi të tillë.

Për ta mbyllur: Tiag Silva nuk arriti të fitonte asnjë “tackle”, pra rrëshqitje dhe ka kompletuar vetëm 58% të pasimeve të tij. Çfarë të thuash më shumë?

Gjyqtari Ajtekin

Mund ta shohim në të gjitha mënyrat e mundshme. Por – të lëmë mënjanë penalltinë e dhënë për faullin e Munierit ndaj Nejmarit dhe ato të mos dhënë për prekjen me dorë të Maskeranos (vendime të dyshimta, por me shumë mundësi të drejta) – dhe të mbajmë penalltinë për faull të Markinjosit ndaj Suarezit. Ishte minuta e 90-të, Barcelona fitonte 4-1 dhe ishte ende dy gola e 5 minuta larg kualifikimit. Mirë pra, ai episod vendosi në mënyrë të qartë kthesën e ndeshjes. Dhe, sido që ta shohësh dhe ngado që ta kthesh, mbetet një penallti tepër e vështire për t’u akorduar. Sidomos nëse ai që e vërshëllen është arbitri Ajtekin, që kishte nevojë për një mendim të arbitrit pas porte për të dhënë 11-të metërshin e parë, në favor të Nejmarit.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here