Mesazhi i Ruços: Barazimi ndaj Partizanit, për skeptikët

 

Mesfushori i skuadrës verdhejeshile u drejtohet të gjithë atyre që nuk besojnë te Lushnja, ndërkohë që parashikon një të ardhme më të mirë

Arjan Likja

Lushnjarët vazhdojnë të stërviten prapa fushës ndihmëse të njërës prej portave në stadiumit, nën drejtimin e teknikut Artan Bano. Kjo javë pushimi e Superligës, e imponuar nga ndeshja e ekipit tonë përfaqësues, ka ardhur në momentin më të përshtatshëm në kampin verdhejeshil, sepse po shfrytëzohet për përfundimin përpara ndeshjes me Kukësin të punimeve në “Roza Haxhiu”. Trajneri Bano ka pasur në dispozicion të gjithë grupin e futbollistëve dhe dje është munduar të aplikojë ushtrime me topin për aq sa lejon minifusha prapa portave. Pritet vendosja e shtyllave në fushë, që javën tjetër ekipit të kryejë disa seanca stërvitore para sfidës së shumëpritur me Kukësin.

LEDION RUÇO – Mesfushori i linjës së majtë të formacionit verdhejeshil, Ledion Ruço, në ndeshjen me Partizanin është ndërruar në pjesën e dytë nga trajneri Bano. 26-vjeçari i Lushnjës, për “Sport Ekspres” tregon arsyet e këtij zëvendësimi dhe shpreh gëzimin për arritjen e atij barazimi aq të çmuar ndaj Partizanit në “Selman Stërmasi”: “Në takimin ndaj Kamzës pësova një dëmtim muskulor në kofshë dhe për shkak të këtij dëmtimi kam bërë disa ditë stërvitje i diferencuar gjatë javës përgatitore për ndeshjen ndaj Partizanit. Ndihesha i rikuperuar dhe trajneri më aktivizoi si titullar, por fatkeqësisht, gjatë pjesës së dytë, fillova të ndjej përsëri të njëjtin shqetësim. Kjo ishte arsyeja që i kërkova trajnerit të më zëvendësonte. Rishfaqja e dëmtimit më shqetësoi pak, por kur takimi me Partizanin përfundoi në barazim, harrova gjithçka. Ishte një ndeshje, ku i gjithë ekipi ka dhënë shpirtin në fushë për të arritur objektivin dhe më në fund ia dolëm. Kjo tregon se jo gjithmonë paraja apo komoditeti i trajtimit të futbollistëve vendos gjithçka. Ne arritëm të merrnim atë që donim përballë një kundërshtari, që trajtimin financiar e ka shumë herë më të mirë. Me atë barazim ndaj Partizanit Lushnja vuri në vend dinjitetin e sajë të nëpërkëmbur nga skeptikët, të cilët nxituan të aludonin para kohe për kapitullimin tonë. Lushnja pret me një moral të lartë takimin e radhës ndaj Kukësit. Kjo javë pushimi e kampionatit do të na shërbejë për të korrigjuar ato gabime, që kemi shfaqur në 4 takimet e para”, – ka theksuar lushnjari Ledion Ruço.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *