Mesazhet me Milanin dhe… CR7-ta, rrëfehet Andre Silva

Andre Silva është i lumtur në Spanjë, ku po luan rregullt me Seviljen. Portugezi është nën kontratë me Milanin, por spanjollët mund të bëjnë tyrin duke paguar klauzolën prej 38 milionë eurosh. Së fundmi sulmuesi ka dhënë një intervistë për “Gazzetta dello Sport” dhe e ardhmja e tij është një nga temat kryesore.

“Jam lojtar i Milanit. Dua të bëj mirë këtu dhe të pres. Nëse duhet të vendosja, do zgjidhja të isha pjesë e ekipit më të mirë në botë. Nëse do të më thonë të zgjedh mes të qenurit titullar te Sevilja dhe stolit te Milani, preferenca është e qartë. Gjithsesi unë jam në dy situata: këtu jam mirë dhe jam lojtar i Milanit. Nuk mendoj për këtë, ndryshe do të shpërqendrohem”, thotë sulmuesi.

Autori i 9 golave në 22 ndeshje, tregon se besimi i dhënë është shumë i rëndësishëm për të dhe për çdo futbollist. “Gjëja më e rëndësishme për një futbollist është besimi. Këtu e kam ndjerë shumë dhe menjëherë. Në Angli të shënuarit më mungonte shumë. Edhe pse e shkuara mbetet e shkuar, gjërat mund të kishin shkuar ndryshe. Futbolli nuk është sport individual, mund të kemi pritshmëritë tuaja por nuk jeni vetëm dhe personat e tjerë duhet t’ju bëjnë ju t’i realizoni ato, ose të përpiqeni”, shtoi portugezi.

MILANI – “Janë rikthyer dhe jam i lumtur. Renditen në vendin e katërt, pavarësisht se garojnë me rivalë të mëdhenj, dhe ky është objektivi kryesor. Gjithashtu në Kupën e Italisë kanë eliminuar Napolin dhe kjo është gjë e mirë. Shpresoj të vazhdojnë kështu. Milani nuk është ai i disa viteve më parë, por mund të rikthehet i madh dhe shpresoj të ndodhë diçka e tillë”, deklaron Andre Silva.

Ai tregon se vijon të mbajë kontakte me drejtuesit, që kanë paguar jo pak për kartonin e tij te Porto. “Nga klubi më dërgojnë mesazhe dhe më thonë se po bëj një punë të mirë. Për më tepër unë mbetem një investim për klubin. Në skuadër kam shumë miq dhe kur erdhën në Sevilje për të luajtur me Betisin, shkova në hotel për t’i përshëndetur”.

“Blerja e mundshme nga Sevilja? Nëse ata e bëjnë këtë, ndodh sepse kanë besim tek unë dhe mendojnë se mund të bëj mirë. Gjithsesi është herët dhe unë ende nuk kam bërë asgjë. E tashmja kushtëzon në mënyrë të pashmangshme të ardhmen time. Unë dua vetëm të luaj dhe të jem i lumtur”.

RONALDO – “Nuk më habit, që fëmijë e kam pasur idhull, pastaj kam luajtur me të dhe e di si është gatuar. Ai kurrë nuk dëshiron të humbasë dhe personaliteti i tij e bën numrin një, Kristiano është special. Rikthimi në kombëtare? Nuk e kam pyetur. Shpresoj që po, të luash me më të mirin është gjithnjë më mirë: finalet e Nations League janë në shtëpinë tonë, e kemi këtë avantazh dhe duam trofeun”, përfundoi Silva.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *