Mesazh për Suad Licin: Kujdes, nuk bëhen qoka me Vllazninë!

Vllaznia është në ajër. Ende nuk dihet se kush do të jetë trajneri, me Agim Canajn që është në pritje të një telefonate të drejtuesve. Kuqeblutë pak ditë më parë kanë prezantuar dy afrimet e para, mbrojtësin Dajan Shehi dhe mesfushorin Herald Marku.

Administratori Suad Lici ishte krah tyre në momentin e prezantimit, ndërkohë që për të ka një mesazh nga ana e kryebashkiakut të ri, Valdrin Pjetri. “Administratori të jetë i kujdesshëm me blerjet që është duke bërë. Nuk është momenti për të bërë qokat në blerjet e lojtarëve që janë në rezervat e ekipeve.

Ky është i vetmi mesazh që kam për administratorin. Vllaznia nuk është e atij, as e imja, por është e gjithë shkodranëve. Nuk është pronë dhe s’mund të bëhen qoka individuale me blerje skarco. Vllaznia është aset i shkodranëve”, ka thënë Pjetri para mediave lokale në Shkodër.

Ai ka folur edhe për çështjen e privatizimit dhe të borxheve: “Orientimi do të jetë privatizimi i klubit, por duhet parë ligjërisht procedura. Nuk ndodh në ditën 0. Ka rreth 1 miliard borxhe. Për sa i përket pjesës së borxheve do të merret dikush tjetër. Do ta shohim në vazhdim. Për sa i përket lëvizjes së administratorit dhe drejtorit teknik, do ta shohim në vazhdim”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *