“Mesazh në shishe”, kështu Pikford priti penalltitë për Anglinë

Fati ndihmon më të mirët, por ndonjëherë vetëm kjo nuk mjafton. Për të arritur fitoren nevojitet përgatitje maksimale për gjithçka. Kjo ndodhi edhe me Anglinë, që në suksesin përballë Kolumbisë me penallti, nuk ia la çdo gjë në dorë rastësisë. Mallkimi i thyer i penalltive pas 22 vitesh, me Tre Luanët që u kualifikuan për herë të parë pas zhgënjimeve në tetë edicione madhore ka një shpjegim logjik dhe disa prapaskena. Duke nisur nga pritjet e Xhordan Pikford.

Sekreti i portierit ishte shishja e ujit që ai mbante në dorë. Përpara ekzekutimit të 11-metërshave, aty trajneri i portierëve, Martin Marxhetson kishte vendosur një letër, ku shpjegohej me detaje se ku i gjuanin penalltitë lojtarët kolumbianë. Përfundime të nxjerra bazuar në punën e specialistëve të analizave video.

Sytë më të mprehtë në Moskë vunë re se gjatë takimit me Ospinën, përpara penalltive, Pikford e mbante shishen të mbuluar me peshqir, për të bërë të mundur që kundërshtari të mos i kuptonte shkrimet që përmbante. Ideja e “mesazhit në shishe” mendohet se u huazua nga ekipi i femrave të hokejit të Britanisë së Madhe.

Një tjetër moment që tregon përgatitjen e anglezëve ishte takimi i portierit Pikford me secilin nga pesë shokët e ekipit, përpara se ata të paraqiteshin te 11 metrat. Gjesti nuk ishte spontan, por një strategji e menduar mirë nga trajneri Sauthgejt, bazuar në eksperiencën e tij të hidhur 22 vjet më parë në “Uembli”. Duke qenë se asnjë lojtar nuk mund të hyjë në gjysmëfushën ku ekzekutohen penalltitë, portieri kishte detyrën të motivonte shokët dhe tu ndodhej pranë në ato momente ankthi.

Tjetër pjesë e sekretit ishte edhe koha e mjaftueshme që futbollistët anglezë merrnin përpara ekzekutimeve të penalltive. Nëse më parë ata nxitonin të gjuanin topin, duke shfaqur shenja të hapura tensioni, këtë radhë të gjithë merrnin frymë dy-tre herë, gjenin balancën psikologjike, pozicionimin e mirë fizik dhe më pas e dërgonin topin në rrjetë. “Tre Luanët” bën gjithçka për të thyer mallkimin e penalltive dhe më në fund ia dolën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *