Mertens: I befasuam të gjithë dhe dominuam Juven. Goli? Luajmë ndryshe, nuk jam… Krauç!

Napoli zhvilloi një ndeshje të madhe, por diçka e tillë nuk është e mjaftueshme kur përballë ke Juventusin. Ekipi i Ançelotit ishte shumë pranë barazimit, por Insinje goditi shtyllën nga pika e penalltisë në minutat e fundit të ndeshjes, që u mbyll me fitoren 2-1 për Juventusin.

U mendua se dalja me të kuqe e portierit Meret dhe pësimi i dy golave vulosen ndeshjen, por Napoli u rikthye në pjesën e dytë dhe dha gjithçka, duke i dominuar bardhezinjtë e Alegrit në çdo aspekt. Dries Mertens është krenar për një gjë të tillë dhe fton shokët që të luajnë gjithmonë në këtë mënyrë. Belgu nuk e ka gjetur akoma rrugën e rrjetës për vitin 2019, por ai ka një shpjegim për këtë fakt.

NDESHJA – “Jemi të zhgënjyer, sepse pas daljes me të kuqe të Meretit dhe pësimit të golit të dytë, të gjithë mendonin se mbaroi ndeshja, por skuadra dha gjithçka. Nuk mund të humbasim në stadiumin tonë. Nuk mendoj se na mungoi diçka, pasi ne e dominuam ndeshjen. Ishim të pafat, por duhet të vazhdojmë të japim gjithçka.”

GOLI – “Po zhvillojmë një lojë ndryshe, luajmë me shumë krosime, por unë nuk jam Piter Krauçi. Po zhvillojmë një tjetër futboll, po përpiqem të bëj punën time dhe të jap gjithçka në fushë.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *