Mersini- Vllaznia, shumë pranë

Ergis Mersini është gjithnjë e më pranë Vllaznisë dhe kjo edhe për logjikë të thjeshtë, pas lëvizjeve të djeshme në merkato. Kështu, Luftëtari firmosi me një mbrojtës brazilian, duke zëvendësuar Vangjel Zguron. Nga ana tjetër, Kamza firmosi pikërisht me Zguron, duke dalë gjithashtu nga gara për Mersinin. Mbrojtësi gjirokastrit i Flamurtarit tashmë është thuajse pa asnjë opsion tjetër përveç Vllaznisë, që për hir të së vërtetës do të ishte një opsion i shkëlqyer për të. Trajneri Ernest Gjoka e ka përmendur shpesh që kërkon mbrojtës në çdo rol dhe deri tani ka marrë qendërmbrojtësin shkupjan Berisha, ndërsa Mersini me eksperiencën e tij do të ishte një ndihmë e madhe.

Megjithatë, 29-vjeçari është ende pjesë e Flamurtarit, kjo nuk duhet harruar, edhe pse klubi vlonjat nuk e përfshiu në listën e minifazës turke. Kjo do të thotë që Mersini është jashtë planeve të Shpëtim Duros, por nga ana tjetër destinacionin e tij e vendos sërish administratori Sinan Idrizi. Nëse ai jep dritën jeshile, Mersini prezantohet që sot në Shkodër dhe më pas niset për në Ulqin. Sa për qendrën e mbrojtjes, Gjoka po pret një përforcim serioz për ta kompletuar repartin, por ende ka dilema. I preferuari mbetet Renato Malota, por nuk është i vetmi, sepse si nga vendi, ashtu edhe nga jashtë, ka emra të gatshëm të bëhen pjesë e Vllaznisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *