Merkatoja korçare (nuk) ka mbaruar!

0

Skënderbeu në merkato, por vetëm për të shitur! Ky është plani i klubit korçar tani e tutje, por me një përjashtim të vogël, sepse nëse del ndonjë okazion super, Takaj nuk i thotë “jo”. Aktualisht skuadra korçare është e tejmbushur me lojtarë dhe natyrisht trajneri Daja do të ketë shumë punë, sidomos kur t’i ketë të gjithë gati. Dje ndaj Beshiktashit nuk ishte Taku, i cili vjen së shpejti nga Amerika, ndërsa tani e tutje pjesë e skuadrës është edhe Vila.

SHITJET Prej muajsh po flitet për një shitje të rëndësishme, të paktën, ose edhe dy, nëse vjen oferta e duhur. Problemi është se merkatoja nuk bëhet me plan, ndonjëherë, dhe Skënderbeu nuk është se i ka të rreshtuara ofertat në tryezë, në pritje që të vendosë cilin do shesë. Takaj nuk i lëshon lehtë xhevahirët e vet dhe nuk ka ndonjë urgjencë, fundja. Skuadra është duke shkuar drejt titullit, mosha mesatare është mjaft e re, nëse hiqen 4-5 kokrra, që janë boshti i skuadrës, vlera e lojtarëve në verë është edhe më e lartë se tani. Natyrisht, Jashanica është emri i piketuar nga disa klube sidomos në Lindje, atje ku është paraja e madhe dhe ku nuk kanë nisur ende kampionatet, por oferta perfekte nuk ka ardhur ende. Nuk ka ardhur ende oferta e duhur as për Bakari Nimagën, një mesfushor shumë i talentuar, por që duhet të luajë ndoshta në një kampionat tjetër që të rritet dhe të ketë motivim më të madh. Njëri prej tyre, ndoshta edhe të dy, mund të shiten këtë janar. Nuk do të shitet Sabien Lilaj, ai është tepër i rëndësishëm për këtë Skënderbe.

AFRIMET Emiljano Vila ishte një dhuratë nga Partizani, Skënderbeu nuk mund të tregohej pasiv. Mesfushori mund të kthehet në nivele të larta, Skënderbeu është ambienti ideal. A mbaroi me kaq merkatoja? Jo, në fakt, sepse Daja ende nuk ka marrë sulmuesin që donte. Klubi nuk e ka me nxitim, fundja i solli Blerim Krasniqin dhe ai është një djalosh që duhet të luajë që tani, jo të presë vite të tëra si Lulaj e ndonjë tjetër. Daja e ka hallin tek eksperienca, do titullin me çdo kusht. Rruga e mesme? Asnjë sforcim, asnjë bast si Nespor: nëse del okazioni i duhur, Skënderbeu do të veprojë. Shpenzim me kriter, studim me qetësi, nëse vjen sulmues, duhet të jetë lojtari i duhur për të qenë titullar pa pasur frikë se do të jetë poshtë nivelit të skuadrës. Deri në 31 janar nuk i dihet…

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image