Merkatoja e janarit, shpëtim apo konfirmim i dështimit?

Dikush është i bindur se merkato e verës ka qenë e gabuar, ndërkohë që dikush tjetër në rrugë e sipër ka kuptuar se skuadra ka nevojë për përforcime. Si është përqasja e klubeve dhe stafeve teknike në raport me merkaton e janarit dhe çfarë pritet të ndodhë në këtë dritare transferimesh, që për hir të së vërtetës nuk të ofron revolucion, por riparime të vogla.

Revolucionin pritet ta bëjë Partizani. Vera është një dështim, klubi largoi të paktën 5 lojtarë në mes të sezonit dhe stafi i ri teknik synon emra që luajnë në Shqipëri, ose së paku njohin kampionatin. Ata duan që në verë të forcojnë ekipin e sezonit të ardhshëm.

Asgjë për të prekur nuk ka Skënderbeu, madje merkato mund të jetë në dalje, sepse parashikohet sërish ndonjë shitje në muajin janar.

Flamurtari është në rregull,  por Duro ka pranuar se do t’i duhen dy futbollistë, mbi të gjitha një mesfushor me cilësi sulmuese, një numër 10, lojtar të cilin po e kërkon dhe Kamza.

Vllaznia do ndërhyje në të tri frontet, ndërsa Laçi është i dyzuar për afrimet e mundshme, por me shumë gjasa do t’i duhet një qendërmbrojtës.

Teuta do kërkojë në sulm, ndërsa Luftëtari gjithashtu duhet të afrojë një qendërsulmues, sepse për momentin nuk ka asnjë të tillë tipik.

Lushnja, si Skënderbeu, mund të mos bëjë blerje, por jo sepse nuk ka nevojë, por sepse nuk ka para. Koha ka treguar që ata që blejnë më pak në janar fitojnë më shumë.

Fitojnë ata të cilët nuk nguten në panik për të forcuar ekipin, por rregullojnë dy-tri pika delikate në merkato.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *