Merkato për dy javë, Abazaj një alternativë

Jurgen Zela

Në Kukës synojnë që ta mbyllin merkaton para nisjes për Ohër. Me pretendimet që sezonin e ardhshëm të mbrojnë titullin kampion, verilindorët kanë shumë punë për të bërë. Verilindorët kanë humbur shërbimet e dy titullarëve të rëndësishëm, pasi Pejiç ishte një “makineri” golash, ndërsa Karioka “xholi” i skuadrës. Normalisht që tashmë është e nevojshme të bëhet zëvendësimi i tyre me elementë cilësoré, edhe pse do të jetë e vështirë që të gjendet një sulmues i cili garanton mbi 20 gola në sezon. Trajneri Milinkoviç ka dorë të lirë në merkato dhe vetëm duhet t’i kërkojë klubit t’i plotësojë kërkesat. Në prezantimin me lojtarët, vetë tekniku serb bëri me dije se nuk do të ketë më shumë se 2-3 afrime. Mësohet se ai po përpilon një listë me dëshirat e tij, të cilën do t’ia paraqesë drejtuesve. Siç “Sport Ekspres” ka raportuar prej ditësh, trajneri do të punojë së bashku me kompaninë e tij të menaxhimit, për të sjellë në Kukës lojtarët që ai i konsideron si të nevojshëm për skuadrën.

SITUATA

Nuk dihet nëse trajneri e kishte llogaritur situatën me Koliçin, Eminin dhe me Lenën. Nëse do të ndodhte që lojtarët të përplaseshin me klubin dyerve të gjykatave, atëherë stafi duhet të mendojë dhe për tre titullarë të tjerë jashtë formacionit. Situatë jo e favorshme për “timonierin” e ri, i cili nuk ka shumë kohë në dispozicion, duke marrë parasysh që dhe në kampionatin tonë alternativat janë të pakta dhe eksperimentimi me elementë të huaj e “të panjohur” është skenari i vetëm.

LUFTËTARI

Trajneri ka një “llogari” të hapur me gjirokastritët, të cilët pretendojnë se Milinkoviç ka dhe një vit kontratë me ta. Një proces gjyqësor është i hapur dhe pritet që të zhvillohet në ditët në vijim, por tekniku serb nuk shqetësohet aspak dhe po punon fort në këto ditë të para me skuadrën. Jo vetëm kaq, por mësohet se sytë janë hedhur pikërisht nga ish-ekipi i tij, për të afruar ndonjë element cilësor.

ABAZAJ

Kristal Abazaj është një nga dëshirat e teknikut serb. Sezonin e shkuar 21-vjeçari bëri mjaft mirë në Gjirokastër, duke u aktivizuar në 33 takime në kampionat, ku dhe arriti që të shënonte dhe 3 gola. Aftësitë e lojtarit trajneri i njeh mirë dhe normalisht që te Kukësi do kthehej në një pikë kyçe. Problem mbetet kontrata që lojtari ka në Gjirokastër, megjithatë ngjarjet e fundit, ku lojtarët nuk kanë dalë në stërvitje, mund të çojnë në një divorc të parakohshëm. Për shërbimet e Abazajt, Kukësi do të haste dhe konkurrencën e Partizanit, i cili gjithashtu e preferon mesfushorin ofensiv. Nuk përjashtohet edhe ndonjë marrëveshje mes Luftëtarit dhe Kukësit, por gjithçka mbetet për t’u parë në ditët në vijim. Edhe Dejvi Bregu është në listën e dëshirave, por duket e vështirë për një kalim të mundshëm në Kukës. Merkato është e hapur deri në 31 gusht dhe deri atëherë gjithçka është e mundur. E sigurt që Kukësi nuk do i thoshte “jo” në asnjë moment “xhevahirëve” të Luftëtarit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *