Mërgjyshi tregon Daliç: Largimi nga Dinamo, hoqi dorë nga milionat

Një nga heronjtë e Kroacisë që ka mbërritur në finalen e Kupës së Botës, trajneri Zllatko Daliç, para një dekade drejtonte Dinamon tonë.

Në sezonin 2008/09 Dinamo punësoi kroatin, që konsiderohej një emër shumë i talentuar në Kroaci, ndërsa që në fillim erdhi Superkupa, por më pas pati luhatje rezultatesh.

Në shkurt 2009 Dinamo humbi dy ndeshje rresht në derbi, kundër Tiranës e Partizanit, ndaj Daliç u largua.

Në një intervistë për Supersportin, trajneri Artan Mërgjyshi, që kishte rolin e krahut të djathtë të Daliçit në atë kohë, tregon një prapaskenë interesante rreth largimit të tij nga Dinamo.

“Daliç e prishi marrëveshjen me mirëkuptim me drejtuesit e Dinamos. Kjo tregoi edhe vlerën e tij si njeri. Ishte tipi i trajnerit demokrat, jo autoritar. Të gjithë ata që punonin te Dinamo nuk mund të thotë fjalë të këqija, si person dhe profesionist. Nuk e besonte njeri që do të shkonte deri këtu, por i kishte të gjitha cilësitë për karrierë të pasur. Të gjitha gjërat i bënte në bashkëpunim me stafin dhe lojtarët. Kontrata e tij ka qenë në shifra të çmendura për atë kohë, bëhet fjalë për 90 mijë dollarë në sezon. Nëse do të donte lekët, do ti shkonte deri në fund kontratës. Pas humbjeve radhazi në derbi me Tiranën dhe Partizanin, dhe pakënaqësive që kishte për grupin që kishte në dispozicion, ai vendosi të mos e vazhdonte kontratën”.

“Ishte shumë i azhornuar për teorinë dhe metodikën. Por, aftësia e tij ishte mënyra sesi krijonte marrëdhënie me stafin dhe lojtarët. Unë në tre vjet si asistent te Dinamo, vetëm me Daliç gjeta hapësirën e nevojshme. Me lojtarët kryesorë dinte të ishte fleksibël, t’i mbante afër, por edhe të ngrinte zërin kur duhej. Në marrëdhëniet me grupin kishte notën 10”.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *