Mërgjyshi: Te Dinamo do ndërtoj shinat për ngjitjen në Superiore

Drejtori i ri teknik i Dinamos, Artan Mërgjyshi është shprehur shumë optimist për të ardhmen e skuadrës dinamovite, që e sheh shumë shpejt në Superiore. Në fjalën e tij për “RTSH Sport”, Mërgjyshi tha:

Zgjedhja e Dinamos – “Jam në shtëpinë time si me thënë, pasi ndihem dinamovit. Unë dua të tregohem gjithmonë modest, por te Dinamo kam arritur shumë gjëra. Kam luajtur si futbollist, kam qëndruar si drejtues, si trajner, jam shumë i lidhur me këtë klub”.

Synimi – “E ndjej për detyrë të kontribuoj për Dinamon dhe dua të rikthej Dinamon aty ku i takon dhe aty ku të gjithë tifozët kanë vite që presin. Është një detyre dhe obligim për të bërë më të mirën dhe për tu rikthyer aty ku na takon”.

Tifozët – “Është e vërtetë që qëndrimi për një kohë relativisht të gjatë ka ulur besimin te tifozët e Dinamos, por dhe te pjesëtarët e stafit. Duhet punë që të thyhet ky mentalitet, por ajo që më ngroh dhe më mbush me optimizëm është fakti që projekti i klubit synon me doemos të rikthehet në Superligë”.

Strategjia e klubit – “Tani që jam pranë skuadrës, them me bindje se të gjithë po punojnë që Dinamo të rikthehet në Superiore. Do t’i marrim gjërat me qetësi dhe të kemi një strategji që të krijomë një ekip konkurrues dhe me premisa, si në këtë merkato, si në merkaton e ardhshme. Po shtrojmë shinat për të kthyer Dinamon aty ku i takon”.

Sezoni aktual – “Jo se neve jemi të dorëzuar këtë sezon për ngjitjen në Superligë, pavarësisht se diferenca me Vllazninë është disi e madhe. Ne do t’i marrim ndeshjet me radhë dhe do të bëjmë maksimumin. Merkatoja është fokusi im, duhet të njoh mirë skuadrën dhe të shikoj ku ka nevojë për tu përmirësuar”.

Merkato – “Këtë periudhë do të jem në ndjekje të Kategorisë së Parë dhe të Superiores, për të marrë lojtarët e duhur për të ngritur Dinamon. Deri më tani, nuk mund të them emra, pasi jemi në bisedime me shumë lojtarë, por asgjë konkrete. Jemi në bisedime më të avancuara me 2-3 lojtarë, por fokusim im kryesor është që të rregullohen mangësitë, e jo vetëm të bëjë merkato boshe”,- tha Mërgjyshi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *