Mërgjyshi: Për barazim firmosnim para ndeshjes

Trajneri i Laçit, Artan Mërgjyshi, ka mbetur i kënaqur nga barazimi në Korçë, pavarësisht se ekzistonin shanset për të provuar arritjen e fitores, duke parë që Skënderbeu mbeti me 10 lojtarë dhe më pas edhe me 9 lojtarë në minutat e fundit. Për “Gol pas goli” në Supersport Mërgjyshi foli për ndeshjen, por edhe për merkaton, sepse Laçi pret disa përforcime cilësore.

– Çfarë ka ndryshuar në krahasim me sfidën e Superkupës, ku Laçi u mund nga Skënderbeu?
– Dua të përgëzoj skuadrën për grintën ndaj një kundërshtari që meriton respekt, për të shkuarën dhe për ekipin aktual. Ndeshja që luajtëm për Superkupë ishte ndoshta një plus, sepse e njihnim më mirë kundërshtarin. Edhe në Superkupë luajtëm mirë, por sot arritëm të merrnim pikë, duke luajtur me kujdes, duke pritur për rastet në sulm, që i patëm. Të dyja skuadrat luajtën mirë, mund të fitonin. Skuadra më jep besim, sepse është një grup që të bën optimist me atë që tregon në fushë.

– E mendoje fitoren në fund, në epërsi numerike?
– Jo pa qëllim bëmë edhe ndërrime duke aktivizuar sulmues. Megjithatë, nëse do ta na thoshin se do të barazonim para ndeshjes do ishim të kënaqur. Ndoshta lojtarët ishin përgatitur psikologjikisht për barazim dhe as nuk e panë lojtarin e dëmtuar që doli jashtë në fund, kur shkuam në epërsi të dyfishtë numerike.

– Mos duhej pak më shumë guxim për fitore?
– Ne i bëmë lëvizjet, ai është stoli. Një nga lojtarët që u fut në fund sapo ka ardhur dhe nuk ka gjendjen e duhur fizike. Bëmë rregullime me ata që kishim në fushë, krijuam disa mundësi për gol, por bëmë edhe gabime. Nuk është e lehtë ta ndryshosh ndeshjen në pak minuta në fund, përtej dëshirës sime.

– Si u ndjeve me rastin që humbi Skënderbeu në fund?
– E vërtetë, mund të pësonim një gol në fund me një top të gjatë dhe do të më vinte shumë keq, sepse deri tani kemi shënuar me goditje standarde, pa pësuar, ndryshe nga sot, ku pësuam gol.

– Merkatoja, si e ndryshojë Laçin, sepse priten Sukaj, Pjeshka, Berisha e Hoxha?
– Presim disa lojtarë, sepse skuadra duhet e plotë në stol. Tani na shtohet konkurrenca, dëshira për të shkuar përpara, por ka edhe vështirësi, sepse nuk e dimë gjendjen fizike të lojtarëve që presim të afrohen.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *