Mënyra perfekte e justifikimit, Mourinho “thumbon”: Do më pëlqente një punë si e Solskjaer

Manchester United po kalon një periudhë të vështirë këtë sezon dhe Solskjaer është gjendur në qendër të kritikave për këtë, madje duke rrezikuar edhe stolin. Por ditën e djeshme “djajtë e kuq” arritën të ndalnin ekipin e Liverpool, që vinte në “Old Trafford” pas 8 fitoreve rresht, duke marrë kështu një pikë.

Pas kësaj ndeshje ka folur edhe ish-trajneri i United, Jose Mourinho, që shprehet se do të donte të gjente një punë si ajo e norvegjezit, ku rezultati i djeshëm nuk konsiderohej negative, duke pasur parasysh gjendjen në të cilën ndodhen të dy klubet. Sipas portugezit, puna e Solskjaer është për të ardhmen dhe për këtë arsye arrin të justifikojë edhe rezultatet e së tashmes.

“Do të përpiqem që në të ardhmen të gjej një punë si ajo që Ole Solskjaer ka tani, e cila është për të folur gjatë gjithë kohës për të ardhmen dhe kështu ti je i mbrojtur për të tashmen. Mendoj se është një situatë e bukur. Është e gjitha për të ardhmen dhe për lojtarët e rinj. Mendoj se është një punë e mirë për t’u bërë në një klub të madh si Manchester United”, ka thënë Mourinho./Sport Ekspres/