Menaxheri i Lukakut tregon prapaskenat: Do ishte i Juves, vetëm falë Dybalas mban fanellën e Interit

Romelu Lukaku ishte një temë e nxehtë verën e shkuar, teksa në garë për shërbimet e tij ishin dy gjigantët e Italisë, Juventusi dhe Interi. Sulmuesi belg hodhi firmën në kontratë për zikaltrit, por menaxheri i tij, Federico Pastorello, ka zbuluar edhe prapaskenat. Madje shprehet se destinacioni i lojtarit të tij do të kishte qenë krejt ndryshe dhe sot do e shihnim me fanellën e Juventusit përkrahë Ronaldos nëse nuk do të ishte për Paulo Dybalan. Kështu ishte pikërisht refuzimi i argjentinasit për t’iu bashkuar Manchester United që solli kalimin e Lukakut te Interi. Më tej Pastorello shton se sulmuesi beg u ndje më pas më i afërt me tifozerinë e Interit, ndërsa edhe dëshira e tij për të punuar me Conten ishte e madhe.

“Nëse Lukaku ka veshur fanellën e Interit sot është vetëm falë refuzimit të Paulo Dybalas për t’iu bashkuar Manchester United. Romelu donte të largohej nga Premier League dhe të shkonte në një klub ku do të ndihej i dashur. Ai e vuri re menjëherë tërheqjen dhe ngrohtësinë me tifozët e Interit krahasuar me ata të Juventusit dhe kjo bëri diferencën. Kalimi i Lukakut te Juventusi do të kishte kënaqur shumë tifozë, por Interi rriti interesimin pas ardhjes së Antonio Contes, që kishte si synim të niste një cikël fitues. Ai e perceptoi këtë menjëherë, madje edhe në mediat sociale. U ndje i kërkuar te Interi. Conte i ka ushtruar shumë presion klubit për ta marrë lojtarin”, ka thënë menaxheri i Romelu Lukakut./Sport Ekspres/