Memushi: Ky Bylis më lart se Vllaznia, të denjë për Superioren

Bylisi rikthehet në Superiore dhe Eqerem Memushi është një nga ata trajnerë që ka punuar me ballshiotët. Në një instervistë të dhënë për SportEkspres.com, ai thekson se skuadrës ballshiote i duhen disa ndryshime në boshtin e saj dhe gjithçka duhet ta fillojë nga porta.

Memushi vlerëson drejtuesit e Bylisit si një pikë e fortë e kërtij klubi, për shkak të financave të garantuara që ky klub ka. Fjalë të mira edhe për grupin e lojtarëve, që me siguri do të përforcohet me disa lojtarë të tjerë cilësorë. Sa i takon finales me Vllazninë, Memushi shikon ballshiotët favoritë.

INTERVISTOI: AGRON KAJA

Si e shikon rikthimin e Bylisit në Kategorinë Superiore, të vonuar apo në kohën e duhur?
-Rikthimin e Bylisit e shoh me shumë optimizëm. Kur shoh disa skuadra në Superiore që kanë problematika në financa e drejtim dhe më shpejt zbresin nga kategoria se sa bëjnë paraqitje të mira, ngjitja e Bylisit duket e vonuar. Po flas për një klub të mirëorganizuar.

Mendoni se këtë herë skuadra ballshiote do të ketë forca për ta përballuar elitën?
-Ka shumë ndryshim Bylisi në raport me sezonet e kaluara. Përveçse ka lojtarë shumë cilësorë, ka një organizim e menaxhim shumë profesional. Pak skuadra të Superiores e kanë, ndaj shikoj një Bylis të denjë për sezonin e ri.

Çfarë ndryshimesh duhet të bëjnë drejtuesit e Bylisit për sezonin e ardhshëm?
-Ndryshime duhet të ketë në skuadër, sepse nuk ka kuptim ngjitja në Superiore. Me gjithë respektin që kam për portierin Bytyçi, ndryshimi te Bylisi duhet të fillojë që nga porta. Drejtuesit duhet të përforcojnë edhe boshtin e skuadrës, tani është në Superiore!

Kampionati i Kategorisë së Parë po kontestohet për formulën, a mendoni se duhet ndryshuar që në sezonin e ri?
-Me çfarë po prodhon kjo formulë, ajo duhej të ishte ndalur disa sezone më parë. Çdo vonesë në ndryshimin e saj do të ketë ndikime negative në nivelin e futbollit në Kategorinë e Parë, pse jo edhe më poshtë. Një grup me 14 apo 16 skuadra është shumë më normal për këtë kategori.

Të enjten luhet finalja e Kategorisë së Parë, cilën skuadër shikoni favorite, Bylisin apo Vllazninë?
-Duke qëndruar në argumentat që ju përmenda më sipër, unë mendoj se Bylisi do jetë skuadra fituese e finales. Bylisi ka më shumë kualitete nga Vllaznia dhe të mos harrojmë se Grupi B kishte në përbërje skuadra që kanë luajtur në elitë, më të forta nga Grupi A.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *