Memushi: Ja kush është favorit për titull, në “Selman Stërmasi” nuk kishte ekspert goli

0

Dje u luajt ndeshja e parë e javës së 17-të të Kategorisë Superiore, ku Partizani-Kukësi u ndanë në barazim 0-0. E quajtur si kryendeshje e kësaj jave, rezultati nuk i bindi skeptikët, por për ish-mbrojtësin e Partizanit kampion në sezonin 1986-1987, Eqerem Memushin, barazimi erdhi më shumë nga mungesa e ekspertëve të golit në të dyja skuadrat.

Eqerem Memushi ka qenë pjesë e futbollit vlonjat në periudhën 1986-1996. Në sezonet 1985-1987 ka luajtur në përbërje të Partizani ku edhe ka dalë kampionë në 1986-1987, ndërsa e ka fituar titullin edhe me Flamurtarin në sezonin 1990-1991. Si trajner, Memushi ka drejtuar Flamurtarin, Tomorin, Apoloninë, Bylis, Naftëtarin e Kombëtaren U15.

INTERVISTOI: AGRON KAJA

Sa e justifikoi lojën dhe rezultatin kryendeshja e javës së 17-të Partizani-Kukësi 0-0?
-Unë mendoj se ndeshjet e forta si kjo Partizani-Kukësi, gjithmonë janë të dyzuara në kuptimin e ngarkesës psikologjike që ato krijojnë. Barazimi për mua ishte i drejtë, dhe këtu kam parasysh faktin që Partizanit i mungonte Asani, ndërsa Kukësi që u tregua më racional në lojën e tij.

Pse nuk u shënua gol në këtë sfidë: nga terreni i rënduar, kishte mangësi në finalizim apo kishte një qasje për barazimin?
-Nga të tre këto argumente unë i qëndroj mendimit tim se, mangësia në finalizim ishte kryesore që rezultati mbeti pa gola. Sepse në sfidën Partizani-Kukësi munguan ekspertët e golit, ata që para portës nuk falin. Mundet që në këtë barazim të ketë ndikuar edhe ana emocionale.

Nëse kjo ndeshje do të luhej me tifozë, do kishte më shumë atmosferë dhe tjetër rezultat?
-Padiskutim që po, sepse tifozët janë bukuria e lojës së futbollit dhe te skuadrat ata janë shtysë për të dhënë maksimumin në fushë. Shkallët bosh të stadiumit “Selman Stërmasi” nuk të jepnin imazhin e një supersfide. Pa tifozë krijohen humbje financiare, një tjetër tregues negativ.

Sot dhe nesër luhen katër ndeshjet e tjera të javës së 17-të, ku mendoni se do të kemi rezultat surprizë?
-Surprizat janë bashkëudhëtarë me futbollin dhe mbeten një nga elementët e bukurisë së tij, por në këto sfida, më të favorizuara duken skuadrat vendase. Kështu, Flamurtari fiton me Kamzën, Skënderbeu me Luftëtarin dhe Laçi me Tiranën. Te Kastrioti-Teuta mund të kemi rezultat ndryshe.

Po moti me reshje shiu, ndikoi në rezultatin e kësaj ndeshjeje?
-Jo, nuk ndikoi negativisht. Terreni i fushës në “Selman Starmasi” është shumë i mirë, madje do të thosha se të gjitha fushat e Kategorisë Superiore janë cilësore dhe në rast reshjeje loja nuk pengohet. Nuk ishin reshje të mëdha që të kishim përmbytje, atëherë po.

Në dy javët e fundit të fazës së dytë, veç Partizanit në krye, priten ndryshime në tabelën e renditjes?
-Besoj se renditja është e përcaktuar me gjashtë skuadrat e kreut që do luftojnë titullin kampion dhe një vend në zonën e Europës, dhe katër skuadrat e fundit që janë në zonën e mbijetesës. Partizani mbetet në krye me këtë shkëputje, ndoshta do të ketë lëvizje të vogla në renditje.

Po mbyllet gjysma e parë e Superiores 2018-2019, ju shikoni ndonjë mangësi në ecurinë e saj?
-Duke ju referuar vetëm anës mediatike, problem mbetet korrektesa me pagat e lojtarëve dhe të stafeve teknike. Ky është një moment me ndikim në lojën e skuadrave, dhe unë e shoh si dobësinë më evidente në këto javë të këtij sezoni në Superiore.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.