Memushaj: Moment i zi, por nëse fitojmë në Izrael…

0

Luksemburgu nuk harrohet lehtë, edhe pse kanë kaluar disa ditë nga humbja e hidhur në miqësoren që dukej e lehtë për ne. Mesfushori vlonjat Ledian Memushaj ka dalë sot në konferencë për shtyp nga Turqia, ku ka folur për disfatën e fundit dhe ka analizuar sfidën në Izrael.

“Duhet të mendojmë për ndeshjen me Izraelin. Isha i mërzitur, sepse kemi humbur shumë ndeshje. Kundër Luksemburgut luajtëm mirë e krijuam raste, por një humbje ndaj tyre konsiderohet gjithmonë tragjike. Për këtë më vjen inat. Situata si te Peskara? Këtu mendoj vetëm për kombëtaren, jo për Peskarën. Gjithsesi, mërzia ka ikur dhe duhej të ikte sa më shpejt sepse përpara kemi Izraelin, një ndeshje shumë e rëndësishme. Nëse një humbje e tillë duhej të ndodhte, më mirë që ndodhi me Luksemburgun, sesa të ndodhte me Izraelin.”

Memushaj flet dhe për lojën e kombëtares dhe eksperimentet taktike të trajnerit De Biazi: “Duhet të pyesni trajnerin, janë gjëra taktike që i përkasin atij. E di që jemi ne në fushë, por nuk është se me Luksemburgun nuk patëm raste, duhet të bënim golin e dytë për të siguruar ndeshjen. Kur nuk e bën, rrezikon të pësosh dhe ashtu ndodhi. Tani të mendojmë të gjithë për Izraelin, të rikuperojmë të gjitha forcat, sepse është ndeshja e fundit e këtij sezoni. Është moment i vështirë, vijmë nga një sezon i lodhshëm dhe nuk dihet si janë lojtarët mendërisht dhe fizikisht.”

Për vlonjatin krahasim me periudhën e një viti më parë është i kotë: “Një vit më parë kishim përpara Europianin, tani është ndryshe. Me rezultate ky është momenti më negativ që njeh kombëtarja, prej shumë vitesh, por mjafton një fitore me Izraelin dhe askush s’flet më për krizë.”

Pikërisht, fitorja me Izraelin, a është aq e lehtë për t’u arritur? “Si cilësi jemi më mire se ata, por duhet ta tregojmë në fushë sepse dhe ndeshjen e parë kur ishim me forca të barabarta në fushë kishim shanse, por pas penalltisë dhe një lojtari më pak ishte tepër e vështirë.”

Për të ardhmen e Xhani De Biazit, Memushaj deklaron: “Ka një vit që flitet që do largohet, por ai është akoma këtu. Janë fjalë që nuk na interesojnë, sepse trajneri s’na ka thënë kurrë që do ikë, ka treguar që do të qëndrojë këtu, sepse është i kënaqur. Nuk e di pse dalin këto gjëra.”

Peskara ra në Serinë B, tashmë Memushaj duhet të mendojë edhe për të ardhmen e vet: “Javën e ardhshme do të iki me pushime në Kubë, pastaj të shohim, nuk e di ç’do bëhet. Të mbyllim sezonin me kombëtaren sa më mirë që të qetësohemi, pastaj ka kohë për merkaton.”

Memushaj nuk mendoj për ndeshjet e tjera kualifikuese: “Për momentin e rëndësishme është ndeshja me Izraelin, për të tjerat do mendojmë më vonë. Kjo ndeshje mbyll sezonin, lojtarët kanë nevojë për pushime që të qetësohen për pak kohë.”

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.