Memini, goditja e parë e Lushnjës në merkato

Mbrojtësi durrsak bashkohet sot me lushnjarët, ndërkohë që në merkato priten edhe 4 të tjerë, por kjo do të thotë se nga grupi do ketë edhe largime

Arjan Likja

E diela është lënë pushim për futbollistët nga stafi teknik i Lushnjës, që sot nis punën me ekipin në Durrës, në ambientet e kompleksit “Tropikal”. Këtu do të zhvillohet një minifazë përgatitore 10-ditore në kushte mjaft komode. Burime pranë klubit verdhejeshil kanë bërë me dije se sot drejt Durrësit do të udhëtojë i gjithë grupi i futbollistëve të federuar për pjesën e parë të këtij sezoni. Trajneri Hysen Dedja pret afrimet e merkatos së dimrit, pasi zyrtarët e Lushnjës i kanë dhënë garanci për përforcime. “Sport Ekspres” mëson se nga Lushnja do të ketë po aq largime sa do të jenë afrimet. Pra, numri i futbollistëve nuk do të ndryshojë, thjesht do të ndryshojnë disa emra. Natyrisht, largimet do të kryen pas këshillimit me stafin teknik. Mbetet për t’u parë se cilët lojtarë nga grupi aktual do të “kapë lapsi” dhe deri më 18 janar do të jetë marrë një vendim në këtë drejtim.

MERKATO – Mbrojtësi durrsak i Kukësit, Rexhep Memini, do të bashkohet sot me myzeqarët në “Tropikal” për të zhvilluar fazën përgatitore me fanellën lushnjare. Mbrojtësi 23-vjeçar ka qenë pjesë e kampionëve të Kukësit në gjysmën e parë të këtij kampionati dhe ka pranuar kërkesën e drejtuesve të Lushnjës për t’u bërë pjesë e ekipit të tyre. Lojtari në fjalë ka dalë lojtar i lirë para disa ditësh dhe duket se ka zgjedhur Lushnjën për të vazhduar karrierën dhe për të dhënë kontributin e tij në luftën e mbijetesës. Memini është goditja e parë e lushnjarëve në merkato, ndërkohë që brenda javës priten edhe 4 afrime të tjera cilësore. Bëhet fjalë për futbollistë nga Superiorja, por edhe nga Kategoria e Parë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *