Memelli: Prindërit po bëhen problem madhor, por nuk dorëzohem

Si futbollist ka parë nga të gjitha, por si trajner nuk e kishte menduar kurrë që të haste në situata të tilla, me të pres fytin

Trajneri i sulmuar dhe dhunuar ditën e djeshme, Migen Memelli, ka dhënë një intervistë pasdite për Sport Ekspres. Ish-futbollisti i famshëm i bardhebluve, por edhe shumë skuadrave të tjera në Shqipëri dhe jashtë saj, sqaroi situatën e djeshme në Skënder Halili. Ai rrëfen me detaje atë që ndodhi mëngjesin e djeshëm dhe kërkon që t’i jepet fund kësaj situate absurde, ku trajnerët nga ekipet e para e deri te moshat po bien pre e sulmeve skandaloze nga prindër problematikë.
-Migen, si ndodhi ngjarja?
Ishim duke zhvilluar një takim miqësor kundër Tiranës B dhe kisha vendosur që të hidhja në fushë lojtarët me më pak minuta. Nuk kisha planifikuar që ta aktivizoja në pjesën e parë, lojtarin babai i të cilit më sulmoi, por në pjesën e dytë, sepse nuk doja ti jepja ngarkesë meqë jemi në garë për titull. Vendimi që mora nuk u prit mirë nga djali dhe ai reagoi dhe në largim e sipër më ofendoi. Në fillim nuk e kuptova, por më vonë pashë që në fushë erdhi i ati, i cili nuk më la kohë për të sqaruar situatën, përse i biri nuk luajti dhe katër herë më qëlloi me grushte. Më pas nxori një biçak dhe më tha: të pres fytin. Në këtë moment vijnë djemtë e Tiranës B e trajneri Alimehmeti dhe qetësojnë situatën.
-Cili është agresori dhe me cilin lojtar është përfshirë?
-Lojtari është Alban Çejku, ndërsa babai Abdyl Çeku. Si trajner e kam për detyrë që lojtarit ti jap shpjegime. Por vetëm një herë. Nuk më lejuan të jap shpjegime. Më ofenduan me goditën me grushte dhe në fund më nxorën edhe biçakun. Lojtari ka shfaqur disa herë pakënaqësi, madje jo vetëm me mua, por edhe me trajnerë të tjerë. Edhe me trajnerin Mustadanagiç ka pasur probleme sjelljeje gjatë një grumbullimi. Duke e dikur karakterin e tij, jam munduar të jem më i qetë dhe i kujdesshëm.
-A ka ndodhur herë të tjera të këtij lloji me prindërit?
Shpeshherë kam pasur konflikte verbale, por asnjëherë të kësaj përmase, apo natyre.
-Çfarë prisni nga klubi?
Shpresoj që klubi i Tiranës dhe Federata të reagojnë me shumë forcë ndaj këtyre fenomeneve. Është një fenomen që po agravohet, situatë skandaloze, prindër që duan me çdo kusht që fëmijët e tyre të bëhen futbollistë me zor. Klubi duhet të rrisë sigurinë në çdo mënyrë, duke mos lejuar askënd që ti afrohet trajnerit.
Shumëkush mund të trembet nga kjo ngjarje. Çdo të ndodhë me ju?
Do ta vijoj me shumë pasion punën time dhe nuk do ti trembem këtij fenomeni. Gjithsesi, do të takohem me presidentin Halili për situatën që ndodhi dhe çfarë do të bëjmë në të ardhmen.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *