Mema: Tirana të shohë kampionatin, kjo është ajo që i kish munguar

Sot Kategoria Superiore nis udhëtimin për dy fazat e tjera të saj, ndërkohë që këtë mesjavë ka trokitur viti 2019 me ndeshjet e turit të dytë të Kupës së Shqipërisë. Duke qenë se Tirana e fitoi 2-0 takimin e parë të këtij turi me Flamurtarin, ish-trajneri bardheblu Sulejman Mema deklaron për SportEkspres.com se kjo skuadër e madhe sot duhet të mendojë më shumë për mbijetesën se sa për Kupën.

INTERVISTOI: AGRON KAJA

Pas fitores në Kupë 2-0 me Flamurtarin, si e shikoni situatën te Tirana?
-Mendoj se skuadra është më mirë moralisht, ndaj edhe tregoi se ky moral i kishte munguar. Një fitore e pastër ndaj një skuadre me kualitete besoj se e ngre moralin e Tiranës për vazhdimësinë, edhe pse besoj se interesi i saj për Kupën nuk është primar.

Nga mbyllja e fazës së dytë në kampionat, e deri te ndeshjet e Kupës: çfarë mendoni se ka ndryshuar te Tirana gjatë muajit janar?
-Mendoj se te Tirana është rikthyer grinta, element ky që kjo skuadër tradicionalisht e ka patur si bazë në sukseset e saj. Veç këtij elementi, shoh se Tirana ka ndryshuar në aspektin pozitiv edhe funksionimin e grupit në fushën e lojës. Grupi po bën diferencën.

Sa ndjehet në këtë situatë dora e Ardian Memës në pankinën e Tiranës?
-Natyrisht që edhe Ardiani së bashku me stafin e tij kanë dorë në këtë situatë të përmirësuar te Tirana. Sepse kur themi që skuadra është më mirë moralisht, këtu gjithçka i referohet punës së trajnerit, jo vetëm në aspektin fizik dhe tekniko-taktik.

Mendoni se fitorja 2-0 në Kupë ndaj Flamurtarit do të jetë moral i mirë për vazhdimësinë e këtij sezoni për Tiranën?
-Fitorja në Kupë e Tiranës ndaj Flamurtarit është vetëm një sinjal drejt përmirësimit, por jo gjithçka që i kërkohet kësaj skuadre në rrugën e këtij sezoni. Janë edhe 18 javë në kampionat, njëherësh edhe ndeshjet e Kupës. Tirana duhet të tregojë grintën si me Flamurtarin.

Nisur nga përbërja aktuale, mendoni se Tirana ka nevojë për merkato?
-Patjetër që ka nevojë për merkato, madje do të thoja se qëndrimi në Kategorinë Superiore i kërkon Tiranës detyrimisht përforcim me dy-tre lojtarë që të garantojnë këtë objektiv. Nga Kupa Tirana mund të shkojë në Europë, por në kampionat duhet ta mendojë mirë mbijetesën.

Të dielën Tirana pret Kamzën, si e mendoni këtë sfidë të parë të fazës së tretë?
-Do të jetë një ndeshje e vështirë dhe e luftuar për të dyja skuadrat. Unë nuk mund them se do të jetë një ndeshje e lehtë për Tiranën, se fitoi në kupë me Flamurtarin. Në Superiore të gjitha ndeshjet do ta kenë shkallën e vështirësisë shumë të lartë, pa diferenca skuadrash.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *