Mema: Sot ishte gjithçka korrekte, Partizani nuk po e prish kampionatin

Trajneri i Tiranës, Ardian Mema, analizoi humbjen kundër Kukësit. Pas kësaj ndeshje, tekniku bardheblu foli për Supersport, ku tha se sot kishin një mundësi reale për të hedhur një hap të rëndësishëm për mbijetesë. Po ashtu, Mema pati edhe një koment për Partizanin. Në fjalën e tij, trajneri kryeqytetas tha:

NDESHJA – ““Mendoj që kundërshtari u mundua të jetë në ekuilibër dhe të na kapte në kundërsulm, në gabimet tona. Ne para porte duhet të ishim më të qetë, për të shënuar sa më shumë, pasi këto ndeshje vendosen nga episodet, jo nga logjika. Unë kisha punuar me skuadrën, e dija shumë mirë si luan kundërshtari. Gjithsesi, nëse do të bësh gabime, kundërshtari i shfrytëzon dhe kjo gjë ndodhi sot”.

KASTRIOTI – “Një nga gjërat që diskutova para ndeshjes, pasi pashë dhe rezultatin e kundështarit, duhet ta shfrytëzonim këtë rast, pasi nuk vijnë shpesh këto raste. Nuk u shfrytëzua nga ana jonë dhe kjo është e gjitha”.

MBIJETESA – “Mbijetesa është një problem evident te Tirana, që kur kam ardhur unë, jo vetëm tani. Me doemos, ekipi duhet të gjejë forcat dhe të jenë të përgjegjshëm. Realisht ndodhemi në vështirësi dhe duhet të jemi sa më të kujdesshëm. Kompromisët? E kemi thënë njëherë, nuk dua ta shpjegoj në këtë moment. Duhet t’i shohim gjërat te vetja, jo te kundërshtarët. Sot çdo gjë ishte korrekte, nuk kishte rezultat të çuditshëm”.

STRATEGJIA – “Kundërshtari na vinte vetëm me topa të gjatë te porta, por kjo gjë i takon atyre. Ne u munduam të ndryshonim diçka. Nuk është se më tremb një ekip që luan me top të gjatë, por veprimet tona, gabimet tona më trembin”.

CINIZMI – “Ndoshta është faji im. Unë mundohem që të bej futboll të bukur, të bëjmë lojë të mirë. Por do të isha dakord që më mirë të luaj keq e të fitoj. Ngelet për t’u parë dhe kjo strategji”.

PARTIZANI – “Partizani është aty ku është në saj të meritës së vet, falë punës që kanë bërë mirë. Unë jam rritur te Tirana dhe e kam sqaruar edhe atë ditë, kur thashë që nuk do doja që Partizani të dalë kampion. Të gjitha ekipet kanë të drejtë të dalin kampion dhe dëshira nuk i ndalon. Partizani është një ekip që luan futboll, nuk po e prish kampionatin dhe i falënderoj për këtë pjesë”, përfundoi Mema.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *