Mema prezantohet pa Halilin: Hezitova në fillim, vendos unë te Tirana!

Ardian Mema ka folur për të parën herë si trajneri i Tiranës. Ish-futbollisti bardheblu do të nisë karrierën e tij si trajneri i parë në shtëpinë e tij, ku ka luajtur për shumë vite dhe e njeh mjaft mirë ambientin. Në një konferencë për shtyp, Mema ka folur rreth situatës ku është skuadra, por dhe pritshmëritë që ka si për të ardhmen, ashtu dhe për ndeshjen e radhës, që është me ish-skuadrën e tij Flamurtarin, ku deri para pak ditësh ishte në rolin e zëvendëstrajnerit.

Ajo që bie në sy është fakti se në daljen e parë për media shoqërohet vetëm nga zëdhënësi i shtypit dhe jo nga presidenti i Klubit. Halili vendoi që të komentonte gjerë e gjatë në ikjen e Ze Marias, por nuk ishte prezent në zyrtarizmin për mediat të trajnerit të ri.

Si e pritët ftesën për të marrë Tiranën dhe si vendosët për të marrë dhjetimin e skuadrës, duke ditur se është një përgjegjësi e madhe?
Tirana është një klub i madh dhe unë kam dalë nga ky klub. Të them të drejtën e prita pak me skepticizëm ftesën, për arsyen se situata kalon nuk ishte shumë e mirë, por dhe kalendari është shumë i vështirë. Kemi tre ndeshje jashtë, por së bashku me të gjithë grupin do ta kalojmë këtë situatë.

Me sa keni parë tek Tirana, çfarë mund të ndryshoni?
Nuk m’u deshën më shumë se 10 minuta për të kuptuar anën psikologjike të lojtarëve, që ditën e premte kur erdha nga Vlora, kur erdha direkt në stërvitje. Lojtarët ishin në një gjendje jo të mirë nga ana psikologjike dhe na del si detyrë që të punojmë në këtë drejtim. Kam folur gjatë me futbollistët gjatë këtyre ditëve dhe më kanë mjaftuar për të konstatuar të gjithë problematikën që ka. Një nga gjërat që unë u kam thënë është se këtë problem nuk e kaloj dot i vetëm, ashtu si dhe lojtarët nuk mund ta kalojnë dot vetëm, por të gjithë bashkë mund t’ia dalim. Duhet të fus dhe frymën e grupit për t’iu rikthyer rezultateve të mira dhe ekipi të jetë në një atmosferë më të mirë seç është. Kjo nuk bëhet përmes deklaratave për media. Duhet të ulim kokën dhe të punojmë për të arritur rezultatet që priten nga opinioni publik. Tifozët e Tiranës duan që ta shohin ekipin e tyre në katërshen e parë të klasifikimit. Kjo arrihet vetëm nga puna.

Ju jeni pjesë e dinastisë ‘Mema’, si ju duket kjo Tiranë me kaq shumë të huaj dhe sa mund ta ndjejnë ata fanellën?
Unë kam qenë pjesë i këtij klubi dhe kam lidhje shpirtërore. Idetë e mia do t’i transmetoj tek lojtarët. Grupi duhet të ketë një lloj motivimi që të dinë të paktën historinë e klubit se si ka qenë dhe si duhet të jetë. Do mundohemi që të fusim frymë të mirë në ekip. Kemi pak kohë në dispozicion.

Nga pjesë e Flamurtarit, kundër Flamurtarit, sa e veçantë do të jetë kjo sfidë për ju?
Dua ta falënderoj klubin e Flamurtarit, pasi më priti mirë dhe u ndamë mjaft mirë, pasi më lejuan që të vi tek Tirana. Flamurtari është një ekip i mirë, pasi ka trajner Ilir Dajën, me të cilin kam punuar gjatë. Është trajneri më i mirë në Shqipëri, i cili di ta përgatisë ndeshjen shumë mirë. E njoh situatën nga brenda atje dhe mendoj se do ta përgatis skuadrën gjatë kësaj jave për këtë sfidë.

Është Daja apo ju më i favorizuar në këtë sfidë, sa i përket njohjes së kundërshtarit?
Them se është Daja, duke marrë në konsideratë dhe tabelën e klasifikimit. Daja ka kohë që punon me atë skuadër, megjithatë do mundohemi që ta përgatisim ndeshjen. Nuk do të shkojmë të dorëzuar në Vlorë, shkojmë për të marrë një rezultat pozitiv.

Sa ju shqetësojnë dëmtimet?
Nuk kam ardhur në një kohë të mirë sa i përket dëmtimeve. Blazhevski është dëmtuar më së fundmi. Me sa fola me stafin mjekësor ka mundësi të jetë i gatshëm.

Sa i kënaqur jeni nga grupi aktual?
Ka dy momente, kur një trajner ka merkaton në dispozicion dhe i bën vetë zgjedhjet e tij, sipas filozofisë së lojës që ka. Në kushtet që jemi duhet të përshtatem unë me lojtarët. Ndoshta lojtarët që unë gjej, disa mund të më pëlqejnë, ndërsa disa mund të kenë probleme me filozofinë time. Kjo është e padiskutueshme që unë do të përshtatem me lojtarët.

Sa e vështirë do të jetë për ju që të gjeni ekuilibrat në momentin e duhur?
Koha është e pamjaftueshme, pasi kam vetëm 2 ditë këtu. Uroj që t’u kaloj lojtarëve atë filozofinë time dhe të përgatitjes së ndeshjes. Duhet pak kohë. Këtë javë do të kemi ngarkesë si ekip, stërvitje dy herë dhe analiza me video. Më pas do të pimë një kafe me lojtarët, pasi dua ta mbaj skuadrën bashkë për të kuptuar dhe për të folur me njëri-tjetrin.

A e ka brumin skuadra për të arritur objektivat për të arritur në Kupat e Europës?
Për momentin nuk flas për objektiva dhe arsyeja është e thjeshtë. Ne duhet të dalim nga kjo gjendje ku jemi dhe më pas do të mendojmë për të tjerat.

Presidenti Halili ka thënë se do të vendosë për gjithçka, në merkaton e janarit do të vendosë ai apo ju?
Unë kam një akord me presidentin. Do vendos unë për lojtarët që do të vijnë në merkato.

Nëse do kishte një dëshirë për të realizuar, cila do ishte ajo, sa i përket anës profesionale?
Tirana kampione.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *