Mema paralajmëron Shkumbinin: Nuk lëshojmë në asnjë ndeshje!

Në javën e 22-të të Kategorisë së Dytë, kryendeshja është Maliq-Shkumbini. Vendasit presin kryesuesit e grupi B dhe nëse i ndalojnë peqinaset do i bënin nder Devollit, që ka vetëm një pikë më pak se skuadra e drejtuar nga Artan Bano. Maliqi tentoi të luftonte vetë për kreun, por nuk e ndoqi dot hapin e kryesuesve.

Për SportEkspres.com, trajneri i skuadrës së Maliqit, Devis Mema, deklaron se edhe pse kanë dalë nga synimi final për vendin e parë, për ta ka ende një objektiv. “Synojmë të renditemi në vendin tretë, ndaj nuk do lëshojmë në asnjë ndeshje deri në mbyllje të kampionatit. Kështu do të ndodhë edhe në sfidën e radhës ndaj Shkumbinit kryesues”.

Ish-futbollisti i Partizanit, Skënderbeut, Flamurtarit, Apolonisë e Tomorit, sot në stolin e Maliqit në Kategorinë e Dytë, thekson se serioziteti në garë është pjesë e personalitetit të skuadrës së tij: “Ne hymë në garën e këtij sezoni me pretendimin e kreut në grup. Nuk ia arritëm pas sfidave me rivalët direkt, por kjo nuk na ka dhënë sinjalin e dorëzimit, as të lëshimit në ndeshje të veçanta. Të dielën Maliqi do ta tregojë në fushë këtë vlerësim të garës”.

AGRON KAJA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *